Secondary Adv

Pavaresisht inflacionit, Sejko: Ekonomia pritet te shenoje rritje kete vit

Për muajin gusht, inflacioni kulmoi në 8.0 për qind, niveli më i lartë që prej 1998-s, por pavarësisht kësaj banka e Shqipërisë gjykon që rritja ekonomike do të vijojë.

 

Në një takim me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të FMN, Bo Li, guvernatori i BSH Gent Sejko vuri në dukje se ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues megjithatë ekonomia do të vijojë të rritet, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.

 

Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe FMN, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar,

 

Sejko e njohu zëvendësdrejtorin e FMN me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me ecurinë e inflacionit dhe masat e marra për mbajtjen e tij nën kontroll, me ecurinë e kreditimit në vend, konsolidimin e sistemit bankar dhe punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë.

 

Banka e Shqipërisë tha Sejko, ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit 3 herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm,

 

ndërsa mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

 

Për sa i përket sistemit bankar, guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka pasur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit.

 

Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

 

Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme.

 

Ndërmarrja e hapave konkretë në secilën fushë mbetet një tregues konkret i angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore, adresimin e sfidave të reja, si dhe mirëqeverisjen institucionale.

 

Ndërkohë, sipas zëvendësdrejtorit të FMN, vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tri goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i 2019, pandemia mbarë botërore dhe rritja e theksuar e çmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin e tij, falë edhe masave të ndërmarra.

 

“Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste”, u shpreh Li.

 

Më tej, ai nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së.

 

Forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeverisjes dhe përputhshmëria me standardet më të mira ndërkombëtare mbeten kushte thelbësore për zbatimin e reformave dhe arritjen e këtyre objektivave./Burimi: Panorama


Më të lexuarat