Secondary Adv

Stoku i detyrimeve te prapambetura arrin 124 mln euro ne qershor

Stoku i detyrimeve të prapambetura (borxhet e pashlyera për kontrata e pune publike) arritën në fund të qershorit në 15 miliardë lekë (124 milionë euro).

 

Stoku i borxheve të pashlyera u zgjerua në gjashtëmujor me 1,6 miliardë lekë (13.8 milionë euro) ose 12.5 për qind më shumë se ne janar të këtij viti. Në krahasim me qershorin e vitit 2021, stoku i detyrimeve është ulur me rreth 12 për qind.

 

Rritja e detyrimeve është krijuar nga punimet në infrastrukturë, për të cilat buxhetit i shtetit u detyrohet kompanive private me 5.1 miliardë lekë me një zgjerim 9.6 për qind nga fillimi i vitit.

 

Zëri “detyrime të tjera” që zakonisht përbehet nga detyrimet e pushtetit lokbal dhe vendime të gjykatave të brendshme shënoi një stok detyrimesh me 9,8 miliardë duke u zgjeruan me 14 për qind në raport me fundin e vitit.

 

Pjesa më e madhe në këtë zë e zëne janë vendimet e gjykatave të te brendshme për shkarkime të padrejta nga puna të punonjësve në administratën publike. Raportimet e Ministrisë së Financave nuk përfshijnë vendimet e gjykatave të huaja.

 

Borxhet e pashlyera në kohë janë shndërruar në një zë të rregullt buxhetor edhe pse qeveria pas vitit 2014 i forcoi ligjet  për të parandaluar krijimin e tyre.

 

Një audit i imtësishëm në 2014 zbuloi rreth 71 miliardë lekë detyrime të prapambetura, ku u përfshinë gjitha faturat, përfshi edhe faturat e pashlyera të energjisë të enteve publike ndaj OSHEE-së.

 

Për të shlyer këto detyrime qeveria rriti huamarrjen e jashtme. Por donatorët që dhanë huatë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar imponuan forcimin e rregullave për administrimin buxhetor në mënyrë që të parandalohej krijimi i të rejave.

 

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë vetëm borxhit që entet publike kanë ndaj OSHEE-së arriti në 4-mujorin e parë të vitit 2022 në 22,1 miliardë lekë (183 milionë euro). Që nga viti 2013 këto detyrime u zgjeruan me 149 % ose me 2.4 herë.

 

Në vitin 2013 borxhi i shtetit për faturat e papaguara të energjisë ishte rreth 9 miliardë lekë. Këto detyrime u shlyen nga borxhi që qeveria mori për këtë qëllim. Sakaq borxhi shlyhet nga taksat e qytetareve.

 

Gati 10 vite më vonë, në vend që të kishim mësuar nga përvojat negative, situata është përkeqësuar edhe më tej, pasi detyrimet po shkojnë drejt trefishimit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/stoku-i-detyrimeve-te-prapambetura-arrin-124-mln-euro-ne-qershor-zgjerohet-me-12-nga-fillimi-i-vitit/


Më të lexuarat