Inceneratori i Tiranes regjistroi 6.2 milione euro fitime ne vitin 2021
Kompania e Integrated Energy BV SPV e kontraktuar nga qeveria për inceneratorin e Tiranës ka deklaruar në bilancin e dorëzuar në QKB një normë fitimi që i kalon 30%.
Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci, kompania Integrated Energy BV SPV ka raportuar të ardhura në vlerën e 2.6 miliardë lekëve në vitin financiar 2021 (22 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 793 milionë lekë (rreth 6.2 milionë euro). Norma e fitimit ishte sa 30.5% e të ardhurave të realizuara.
Një normë të ngjashme fitimi është raportuar edhe në vitin 2020, ku të ardhurat e kompanisë ishin 2.3 miliardë lekë dhe fitimi zyrtar i raportuar ishte 723 milionë lekë. Bilanci nuk është audituar akoma, por në dokumentet e dorëzuara thuhet se është në proces.
Në realitet, norma reale e fitimit mund të jetë shumë më e lartë, teksa një proces hetimor nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar skema të frikshme pastrimi parash në kompanitë simotra në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Procesi i hetimeve ka çuar në sekuestro të dy incenartorëve të Elbasan dhe Fierit, ndërsa edhe për inceratorin e Tiranës janë të njëjtët aksionerë. SPAK në një nga deklaratat zyrtare mbi hetimin ka njoftuar se, nga hetimet për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.
Janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer.
Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.
Qeveria shqiptare në 2016 kur shpalli koncesion PPP për djegien e plehrave me incenerim e argumentoi këtë politikë, me faktin se investitori privat do të kryente investimin me fondet e veta, të cilat do të shlyheshin më vonë viti pas viti nga buxheti.
Por realisht inceneratoret kanë marrë dhe vijojnë të marrin pagesa të cilat nuk i kanë të justifikuara më punë. Në praktikën e investimeve publike, inceneratorët janë një shembull i paprecedentë i shpërdorimit të fondeve publike nga një kompani private.
Për me tepër kompania që ka shpërdoruar taksat e shqiptarëve është ndihmuar një spektër i gjere zyrtarësh dhe nëpunësish publik, disa prej të cilëve janë në burg dhe të tjerë në hetim.
Kompania Integrated Energy BV SPV e inceneratorit të Tiranës, vetëm gjatë 6 muajve të parë 2022 ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 400 milionë lekë (3.3 milionë euro), sipas Open Data Albania (ky incenerator nuk raportohet te investimet kapitale, por te shpenzimet korente).
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga viti 2018 deri në qershor 2022 buxheti i shtetit ka bërë pagesa 4,9 miliardë lekë (40.7 mln euro) ndaj kompanisë integrated Energy BV SPV e kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit te Tiranës.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/inceneratori-i-tiranes-6-2-milione-euro-fitime-ne-2021-norme-kthimi-30/