Secondary Adv

Dorezohet aplikimi per rritje cmimi, ja sa do kushtoje energjia mbi 800 kwh

FSHU ka depozituar aplikimin për rritjen e çmimit të energjisë për konsumin mbi 800 kwh, duke i kërkuar ERE tarifimin me 42.95 lekë/kwh për këtë fashë.

 

TV SCAN ka siguruar dokumentin, sipas të cilit propozimi për vendosjen e këtij çmimi bazohet në parashikime për blerjen e energjisë përgjatë periudhës tetor – dhjetor, dhe jo në çmimet me të cilat është siguruar energjia deri më tani.

 

Më konkretisht, në shkresë specifikohet se në datën 8 shtator 2022 Asambleja e Përgjithshme e KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kwh/muaj, të jetë 34.3 lekë/Kwh.

 

Është e paqartë përse është miratuar kjo shifër, duke qenë se KESH nuk ka nënshkruar kontrata afatgjata të blerjes së energjisë, duke i bazuar blerjet në baza ditore ose javore.

 

Ndërkohë që, edhe çmimet e blerjeve të kryera deri më tani kanë qenë ndjeshëm më të ulta. Për 6-mujorin e parë të këtij viti KESH e bleu energjinë me 26 lekë/Kwh.

 

Ndërkaq, për llogaritjen e çmimit final të tarifimit, FSHU shton shpenzimet në çmimin e shitjes prej 8.65 lekë/ kwh, duke këkruar që çmimi final të jetë pikërisht 42.95 lekë/kwh.

 

Në çmimin e shitjes FSHU ka përfshirë tarifat e transmetimit, shpërndarjes, kostot administrative, amortizimin, disbalancat, koston e lejuar të kapitalit të punës dhe marzhin.

 

Sipas dokumentit të depozituar në ERE, në muajin tetor, numri i abonentëve që parashikohet të preken nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike është 49 334, ndërkohë që në muajt nëntor dhe dhjetor ky numër familjesh rritet në 71 278.

 

Referuar procedurave, tashmë vendimi final për rritjen e çmimit të energjisë është në dorën e Bordit të Entit Rregullator të Energjisë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat