Pas kolegjit te vajzave, MAS urdheron mbylljen e kopshtit te Turgut Ozal
Qeveria shqiptare ka mbyllur fillimisht kolegjin e vajzave Mehmet Akif gjatë ditës së djeshme dhe sëfundmi edhe kopshtin në varësi të kolegjeve “Turgut Ozal”.
Përfaqësuesit ligjore të kolegjeve “Turgut Ozal” reaguan sot për mediat, ndërsa më herët kanë informuar edhe familjarët për situatën e krijuar, të cilën ata e konsiderojnë tërësisht të paprecedentë dhe një goditje e rëndë për arsimin cilësor në Shqipëri.
Në reagim, ata hedhin dyshime të forta mbi qëllimet e vërteta të mbylljes së shkollave, të cilat nuk kanë të bëjnë me plotësimin e standardeve, edhe pse ambientet e këtij kopështi janë ndër më modernët në Tiranë.
Mësohet se për mbylljen e këtij kopështi është gjetur një artificë ligjore për ndryshimin e vendit të ushtrimit të aktivitetit nga godina A në godinën B, të cilat ndodhen vetëm pak metra larg njëra-tjetrës, në oborrin e kolegjit “Turgut Ozal”.
Përfaqësuesit e shkollës theksojnë se ndryshimi i vendit të ushtrimit të aktivitetit ka ndodhur disa vite para se të hyjë në fuqi detyrimi ligjor për deklarimin e tij, megjithatë ata shprehen se kanë aplikuar disa herë pranë MAS për miratimin e këtij ndryshimi, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje duke u përballur me inspektime surprizë pak ditë më parë.
Duket se inspektimet kanë ardhur pasi autoritetet kanë vendosur mbylljen e kopshtit dhe kështu duke mos i miratuar ndryshimin e vendit të aktivitetit kanë gjetur një artificë për të mbyllur aktivitetin.
Ndërkohë, avokati Isuf Shehu tha se kopshti është financim holandez dhe se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore. “Ky kopsht ka qenë në këtë adresë prej viti 2004. Ka pasur një korrespondence me ministrinë e Arsimit.
Në muajin shkurt nga ana e ministrisë së Arsimit ky fakt që në dosjen e tyre nuk kishte një dokumentacion lidhur me vendndodhje është sqaruar dhe ka filluar procedura.
Ky kopsht ka qenë pjesë inspektuese e ministrisë, ku kanë konstatuar standarde më të larta. Ajo që ka ndodhur është një moskomunikim dhe mos respektimin të ligjit nga ana e ministrisë, mos respektimit të kritereve të ligjit parauniveristar.
Kjo është reflektuar në këtë urdhër të padrejtë dhe të paligjshëm nga ana e ministrisë së Arsimit. Është përgatitur administrata për të respektuar parimin e ligjshmërisë. Ne i kemi marrë masat. Dje kishim grupin e inspektimit.
Njerëzit nuk janë tastierë kompjuteri dhe menjëherë të kalojnë në një faqe tjetër. Do kohën e tyre ky proces. Nuk ka lidhje mes fondacionit të Gylestan dhe shoqërisë Turgut Ozal.
Aktiviteti i kopshtit është pjesë e aktivitet të shoqërisë Turgut Ozal, që është pjesë e një investimi të huaj holandez” tha ai./Burimi: abcnews.al