Nga 1 tetori rritet cmimi i energjise, 42 leke per kw kur kalohet fasha
Enti Rregullator i Energjisë vendosi në mbledhjen e ditës së premte rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kwh në muaj të konsumatorëve familjarë.
Ashtu siç kishte shpallur qeveria shqiptare më herët këtë muaj, çmimi i energjisë për konsumin mbi 800 kwh në muaj do të jetë 42 lekë pa TVSH ose 50.4 lekë, duke përfshirë edhe TVSH.
Zyrtarisht, vendimi është marrë për periudhën mes 1 tetorit dhe 31 dhjetorit 2022, ndërsa çmimi që do të paguhet nga fillimi i vitit të ardhshëm duhet të jetë objekt i një vendmmarrjeje të re.
Furnizuesi i Shërbimit Universal e argumentoi aplikimin për rritje të çmimit me nevojën për të mbuluar shpenzime shtesë të blerjes së energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
Sipas përllogaritjeve të Furnizuesit të Shërbimit Universal, efekti financiar rritjes së çmimit për konsumin mbi 800 kwh në muaj do të jetë rreth 1.8 miliardë lekë të ardhura shtesë për këtë operator.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të godasë më tej buxhetet e familjeve shqiptare, të prekura tashmë nga nivelet e inflacionit më të larta që nga periudha që pasoi krizën e skemave piramidale.
Megjithëse qeveria shqiptare fillimisht u shpreh se një masë e tillë do të prekte rreth 40 mijë familje, vlerësim i kryer mbi një konsum mesatar vjetor, në fakt për muaj të veçantë të vitit, sidomos ato të dimrit, numri i familjeve që konsumojnë mbi 800 kwh në muaj është më i lartë, me të paktën 90 mijë familje.
Pas muajit tetor, nëse një familje do të konsumojë 900 kwh nëmuaj, pagesa finale mujore tashmë do të jetë 14,160 lekë me TVSH (pa përfshirë taksën e televizionit dhe konsumin e mjediseve të përbashkëta), nga 10,260 lekë që ishte më parë, ose 38% më shumë.
Nëse konsumi rritet në 1000 kwh në muaj, fatura finale do tëjetë 19,200 lekë, nga 11,400 lekë që është sot, ose 68% më shumë. Më tej, për çdo 100k Kwh më shumë energji të konsumuar, fatura do të vazhdojë të rritet me 5040 lekë të tjera.
Qeveria shqiptare e motivoi vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me shtrenjtimin e saj në tregjet e huaja dhe me nevojën për të nxitur kursimin e saj nga familjet.
Deri tani gjatë këtij viti, qeveria ka deklaruar se ka mbështetur me rreth 300 milionë euro kompanitë e sektorit me qëllim blerjen e energjisë elektrike./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ere-zyrtarizon-rritjen-e-cmimit-te-energjise-elektrike-nga-1-tetori-do-te-jete-42-lekesh-per-kwh/