Secondary Adv

Ligji ri, qeveria zgjeron kompetencat e Policise Bashkiake

Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për Policinë Bashkiake, duke zgjeruar kompetencat e saj nga 13 që ka aktualisht në 28.

 

Ligji i ri parashikon si kompetenca të reja të Policisë Bashkiake heqjen e çdo material i propagandues të partive politike jashtë vendeve të përcaktuara, zbatimin e masave për ndalimin e gjuetisë së paligjshme, ruajtjen e liqeneve dhe pyjeve,

 

ruajtjen bregut të detit nga zaptimi në territorin e bashkisë përkatëse, zbatimin e planeve në rast emergjencash, marrjen e masave të sigurisë në ndeshjet e futbollit dhe çdo veprimtarie sportive dhe ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë.

 

Nisma ligjore që pritet të miratohet në Kuvend parashikon gjithashtu se Policia Bashkiake, bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë dhe për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve të ndryshme, mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike.

 

Policia Bashkiake nuk do të ndërhyjë më për të prishur ndërtimet pa leje, por do të kontrollojë territorin dhe do të konstatojë ndërtimet pa leje, duke njoftuar menjëherë IKMT-në.

 

Policia Bashkiake do të garantojë ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik dhe mjediset e përbashkëta, do të administrojë varrezat si dhe do të sigurojë zbatimin e rregullave për varrimin publik.

 

Gjithashtu, Policia Bashkiake do të ketë për detyrë respektimin e normave ligjore në lidhje me vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;

 

Të gjitha këto kompetenca të shtuara për Policinë Bashkiake synojnë edhe që të lehtësojnë punën e Policisë së Shtetit, për t’u fokusuar më tej në ruajtjen e sigurisë publike dhe goditjen e krimit dhe korrupsionit./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat