Bankers ul prodhimin e naftes me nje mije fuci ne dite
“Bankers” arriti një prodhim mesatar prej 18,137 fuçi në ditë në tremujorin e katërt 2015, raportoi dje kompania për tremujorin e fundit të 2015-s. Prodhimi mesatar vjetor është 19,384 fuçi në ditë kundrejt një prodhimi mesatar prej 20,690 fuçi në ditë në 2014-n.
“Duke vijuar me programin e injektimit të polimerit, u përfundua një numër i madh konvertimesh pusesh në injektim me polimer gjatë tremujorit të katërt, çfarë çoi në uljen e prodhimit aktual, por që pritet të rikuperohet në muajt e ardhshëm të 2016-s përmes puseve kompensuese”, sqaron kompania. Siç është njoftuar tashmë, në Shqipëri pati reshje të shumta dhe përmbytje në fillim të tremujorit të katërt, të cilat ndikuan në uljen e prodhimit me rreth 1 000 fuçi në ditë për një periudhë dyjavore.Ndërkohë, kompania vendosi të mbyllë disa puse të caktuara për të menaxhuar depozitimin e gazit në njësinë qendrore të trajtimit. Si pasojë e rënies së vazhdueshme të çmimeve të naftës në fund të vitit 2015, kompania vijoi të vlerësojë normën e kthimit të të gjitha puseve dhe vendosi të ndërpresë prodhimin në puset anësore në përputhje me mjedisin aktual ekonomik.