Secondary Adv

Rriten investimet e huaja ne 6 muaj, kryesojne ato ne pasuri te paluajtshme

Viti 2022, po rezulton i suksesshëm për investimet e huaja, të cilat kanë arritur në vlera rekord.

 

Në gjashtë muaj në vend janë investuar nga shtetet e huaja 634 milionë euro, nga 469 milionë euro që ishin në vitin e kaluar. Madje janë kapërcyer edhe shifrat e vitit 2019, kohë kur të huajt investuan në Shqipëri 546 milionë euro.

 

Nga janari në qershor sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë peshën më të madhe të investimeve e mbajnë Italia  me 75 milionë euro, Holanda me 70 milionë euro dhe Gjermania me 59 milionë euro.

 

Por në krahasim me vitet e kaluara është regjistruar rënie e vlerës së investimeve nga Holanda, Turqia dhe Zvicra. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe ka pasur bum investimesh nga shtete dhe organizata që nuk deklarohen për arsye konfidencialiteti.

 

Nga 61 milionë euro që ishte vlera e investimit vjet, në 300 milionë euro këtë vit. Vëmendja më e madhe e investitorëve të huaj vijon të jetë e përqendruar në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në sektorin energjetik.

 

Konkretisht në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë investuar 142 milionë euro në pasuri të paluajtshme duke u rritur me 62 milionë euro.

 

Investimi në këtë industri ka marrë hov të madh në vitet e fundit, ku jo vetëm vëmendja e të huajve por edhe e shqiptarëve është e përqendruar kryesisht tek pasuritë e paluajtshme, dhe investimi në prona.

 

Në vend të dytë me rritjen më të madhe të investimeve është energjia elektrike. Nga 42 milionë euro që u investuan në këtë sektor në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, në të njëjtën periudhë këtë vit janë investuar nga të huajt 103 milionë euro.

 

Fokusi në sektorin energjetik këtë vit është përqendruar tek investimet në burimet e rinovueshme, si parku i Karavastasë dhe ai i Spitallës. Ndërsa në vend të tretë renditet industria përpunuese me rritje prej 41 milionë eurosh, pasi në total u investuan 84 milionë euro./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat