Secondary Adv

Efektet e pandemise, BE i kalon mbi 5 mln euro buxhetit te Kosoves

Komisioni Evropian akordoi sot për Kosovën edhe 5.25 milionë euro të tjera për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit nga pandemia e COVID-19.

 

Ky fakt është bërë me dije nga zyra e BE-së në Prishtinë. Transferta e sotme sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë euro.

 

“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.

 

Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”, njofton kjo zyrë.

 

Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes së BE, ku BE shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes.

 

Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20.5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor 2020.

 

BE-ja inkurajon qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sistem.

 

Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat