Secondary Adv

Greqia ne nevoje per punetore sezonale, kerkon ndihme nga Shqiperia

Disa rajone në Greqi po kërkojnë punëtorë sezonalë nga Shqipëria, për të përballuar vjeljen e prodhimeve bujqësore dhe frutore të vjeshtës.

 

Afrimi i sezonit të vjeljes, sidomos të ullirit, ka rritur sfidat për fermerët grekë që nuk po gjejnë më fuqi punëtore për shkak të interesit të ulët të emigrantëve për të punuar në fermat greke prej pagave të ulta dhe kushteve minimale të trajtimit.

 

Një faktor tjetër që ka ndikuar këtë vit, sipas ekspertëve grekë, është edhe largimi i fuqisë punëtore ekzistuese në vendet e tjera, kryesisht të Veriut të Europës apo Britanisë se Madhe.

 

Sipas autoriteteve vendore greke kërkesat më të larta për punëtorë sezonalë janë në zonën e Verias dhe Imathias, ku çdo vit punësohen qindra shqiptarë nga Qarku i Korcës dhe Elbasanit.

 

Unioni i Koperativave Bujqësore të Imatheas tha se pati këtë fundjavë një takim me një delegacion shqiptar të përbërë nga kryetarët e Bashkive të Belshit, Prenjasit, Prefektët e rajoneve të Korçës dhe Elbasanit dhe përfaqësues nga ministria shqiptare e Bujqësisë.

 

Sipas Unionit diskutimet kanë përfshirë nxitjen e punësimit sezonal dhe lehtësimin e lëvizjes kufitare të migrantëve shqiptarë për punët sezonale në Greqi si dhe bashkëpunimin bujqësor mes rajoneve.

 

Ndërkohë Unioni Kombëtar i Koperativave Bujqësore në Greqi përmes një letre drejtuar të premten disa ministrave si atij të Emigracionit, ministrit të Jashtëm, ministrit të Zhvillimit dhe ministrit të Punës dhe çështjeve sociale, shprehu shqetësimin për situatën emergjente të mungesës së punëtorëve sezonalë.

 

Unioni pohon se zgjidhja e çështjeve në lidhje me gjetjen e punëtorëve të tokës është urgjente dhe e një rëndësie kritike për bujqësinë greke, jo vetëm për arritjen e prodhimit, por edhe për frenimin e kostove të prodhimit,

 

Unioni ka kërkuar shtyrjen e afatit të aplikimit të fermerëve për punëtorë sezonalë, që përfundonte më 30 shtator dhe lehtësimin e praktikave kufitare që i vlerëson si mjaft burokratike.

 

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për punësimin sezonal në vitin 2020 dhe çdo vit rreth 10 mijë punëtorë shqiptarë punësohen për disa muaj në Greqi, kryesisht në bujqësi.

 

Punësimi shihet si një ndihmë për ekonominë e familjeve shqiptare në disa zona të qarqeve kufitare me Greqinë. Dy vjet më parë qeveria greke miratoi dhënien e lejes për 65 mijë punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 10 mijë në blegtori.

 

Sipas parashikimit të autoriteteve greke për vitin 2021 ishin rreth 18 mijë vende të reja në bujqësi dhe 10 mijë të tjera në blegtori ndërsa këtë vit nevojat për punëtorë sezonalë janë thelluar./Burimi: VOA


Më të lexuarat