Secondary Adv

Te ardhurat per fryme, Shqiperia jo me e fundit, le pas Bosnje-Hercegovinen dhe Moldavine

Shqipëria nuk është më vendi më i varfër në Europë, mbështetur në të ardhurat për frymë, të rregulluara sipas parimit të barazisë së fuqisë blerëse.


Kjo bëhet duke i konvertuar të ardhurat bruto të secilit vend në dollarë ndërkombëtarë, që është një njësi monetare virtuale, e përdorur në statistikat makroekonomike për të barazuar fuqinë blerëse të të ardhurave në secilin shtet. Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse ndaj prodhimit kombëtar, që ka dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, të ardhurat e shqiptarëve për frymë në vitin 2014 ishin 10,180 dollarë ndërkombëtarë.


Për vitin 2014, të ardhurat për frymë u rritën me rreth 3.5% ndaj vitit 2013. Me këtë shifër, Shqipëria lë pas, Bosnje-Hercegovinën, që për vitin 2014 e kishte të ardhurat bruto për frymë në nivelin 10,010 dollarë ndërkombëtarë. Gjithashtu, me të ardhura më të ulëta rezulton edhe Moldavia, në nivelin 5,500 dollarë ndërkombëtarë për frymë. Për Kosovën nuk ekzistojnë të dhëna në statistikat e Bankës Botërore, por, megjithatë, besohet edhe shteti më i ri në Europë qëndron poshtë Shqipërisë në renditjen e të ardhurave, të rregulluar sipas fuqisë blerëse.


Në këtë renditje, më të pasurit në Rajon janë malazezët, me të ardhura vjetore për frymë në vlerën e 14,530 dollarë ndërkombëtarë në vit, të ndjekur nga maqedonasit dhe serbët. Në Europë, renditja krahasuese e të ardhurave për frymë kryesohet nga Norvegjia, me 66 mijë dollarë në vit, ndërsa në vendin e parë në Botë është Katari, me të ardhura për frymë në vlerën e më shumë se 134 mijë dollarëve në vit.


Më të lexuarat