Secondary Adv

ARRSH ndryshon kontraten, 47.2 mln leke shtese per Kardhiq-Delvine

Një seri tenderësh për aksin Kardhiq-Delvinë nuk kanë mjaftuar për përfundimin e punimeve, duke qenë se ARRSH ka miratuar një fond shtesë prej rreth 47.2 mln lekë.

 

Sipas ARRSH, ndryshimet janë bërë në kontratën që parashikon ndërtimin e sinjalistikës dhe punimet për rritjen e sigurisë rrugore nga loti 1 deri në lotin 6, duke e çuar vlerën totale të kontratës për këtë qëllim në 267.2 mln lekë, nga 220 mln lekë, që ishte më herët.

 

ARRSH argumenton se modifikimi i kontrarës është bërë për shkak të rishikimit të projekt-preventivit si pasojë e ndryshimeve të konstatuara gjatë zbatimit të kontratave të ndërtimit e më konkretisht spostimi i Konstruksionit Metalik Portal dhe rishikimi i pozicionit dhe tipit të Guardrail H2w4, në kuadër të përmirësimit të projektit.

 

Shtesa e kontartës është miratuar që në muajin qershor, por është bërë publike pas 3 muajsh. Këto janë fondet publike të radhës, që jepen për ndërtimin e këtij aksi rrugor, duke rritur kostot e zbatimit të projektit.

 

Vetëm më muajin maj ARRSH ka shpallur fituesin e tenderit, për lotin 8 të aksit Kardhiq-Delvinë, që përfshin sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve. Punimet do të kushtojnë 1,43 mld lekë, një vlerë sa 99.68% e fondit limit të vënë në dispozicion nga autoriteti kontraktor në atë kohë.

 

Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por ato u zvarritën prej vitesh./Burimi: SCAN


Më të lexuarat