Secondary Adv

Qeveria britanike nuk do te ule taksat, Truss terhiqet nga vendimi

Qeveria britanike u detyrua të anulojë planet për të ulur shkallën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat që shkaktoi kaos në parti, si dhe trazira në tregjet financiare.

 

Truss dhe ministri i Financave Kwasi Kwarteng, njoftuan një “plan të ri rritjeje” më 23 shtator, që do ulte taksat, një lëvizje që do të financohej nga huamarrja e madhe e qeverisë për të nxjerrë ekonominë nga vitet e rritjes anemike.

 

Por, plani shkaktoi një krizë besimi në qeveri, duke goditur vlerën e paundit dhe çmimet e obligacioneve të qeverisë dhe tronditur tregjet globale në atë masë sa Banka e Anglisë duhej të ndërhynte me një program 65 miliardë paund.

 

“Është e qartë se heqja e taksës prej 45% ka shkaktuar kaos në misionin tonë kryesor për të trajtuar sfidat me të cilat përballet vendi”, tha Kwarteng në një deklaratë.

 

Vendimi për të ndryshuar kursin, ka të ngjarë të vendosë Truss dhe Kwarteng nën presion të madh, më pak se katër javë pasi ata erdhën në pushtet. Britania ka pasur katër kryeministra në gjashtë vitet e fundit.

 

Truss, ish-ministrja e jashtme 47-vjeçare e Britanisë, e cila mori detyrën më 6 shtator pasi fitoi një garë lidershipi mes anëtarëve të Partisë Konservatore, pranoi të dielën se ajo duhet të kishte bërë më shumë për t’u konsultuar me të gjithë faktorët politikë.

 

Ndërsa heqja e shkallës më të lartë të taksave pritej të kushtonte vetëm rreth 2 miliardë nga një plan 45 miliardë paund për uljen e taksave, ky ishte elementi më tërheqës i një pakete fiskale që do të financohej nga huamarrja e qeverisë, por Kwarteng nuk ka shpjeguar ndonjëherë se si do të paguhet në planin afatgjatë.

 

Truss nuk e ka mohuar gjithashtu se do të kërkonte shkurtime të shpenzimeve për shërbimet publike dhe të dielën ajo refuzoi të angazhohej për rritjen e përfitimeve të mirëqenies në përputhje me inflacionin, një kombinim toksik nga I cili do të përfitonin partitë opozitare.

 

Menjëherë pas këtij vendimi paundi ka rinisur të fitojë pikë ndaj dollarit amerikan dhe të hënën në mëngjes këmbehej me 1,125 dollarë, me një rritje prej 0,8%./Burimi: SCAN


Më të lexuarat