
Taksat e fshehta te 2016-s trefishojne barren fiskale
Ndërsa efekti i politikave të reja fiskale në total në 2016-n do të jetë 1.44 mld lekë (10 milionë euro), vetëm nga koncesioni i skanimit i Rapiscan bizneset llogaritet të paguajnë këtë vit edhe rreth 9 milionë euro plus dhe 2 milionë euro shteti (koncesionari do marrë 11 milionë euro në total). Tregtuesit e naftës do të paguajnë të paktën 10 milionë euro në tarifa rilicencimi. Bizneset po përballen dhe me mbifaturime të energjisë.
Krahas taksave klasike të tilla si, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Akciza, Tatimi mbi Fitimin, dhe pagesat për sigurimet, në 2016-n biznesi do të paguajë dhe disa taksa të “fshehta” për llogari të lejeve, licencave dhe koncesioneve. Barra e tyre është shtuar ndjeshëm për vitin 2016, teksa disa biznese pohojnë se pagesa për këto tarifa në disa raste është e njëjtë me tatimet tradicionale.
Ndonëse në 2016-n, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në taksat direkte, ( pas rritjes dy vjet radhazi të tatim fitimit, tatimit mbi të ardhurave personale, taksës së qarkullimit dhe akcizës së disa produkteve), edhe këtë vit bizneset do të përballen me kosto të paparashikuara nga barra e taksave indirekte.
Ministria e Financave, në materialin e saj të fundit publikues, “Buxheti për qytetarët 2016” pohon se efektet e politikave fiskale këtë vit janë 1.44 miliardë lekë, apo rreth 10 milionë euro, që do paguhen më shumë taksa si rrjedhojë e rritjes direkte të disa taksave (Taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e truallit, taksa mbi primet e makinave dhe ajo për automjetet luksoze, dhe rritja e sigurimeve shoqërore për profesionet e lira).
Barra totale e taksave indrirekte (të fshehura) është e pamatshme megjithatë disa prej tyre mund të llogariten për vitin 2016:
-Skanimi i deklaratave doganore: Biznesi pritet të paguajë të paktën 7-9 milionë euro në 2016 (shiko llogaritjen më poshtë)dhe 2-4 milionë euro do paguhen nga buxheti (indirekt taksat tona), pasi koncesionari në bazë të marrëveshjes do të marrë 11.3 milionë euro në vtin e parë
-Tarifa e licencimit dhe rilicencimit të pikave të karburantit do të shtojë për operatorët një barrë minimumi prej 10 milionë eurosh (shiko llogaritjen më poshtë), që pritet të transferohet direkt në çmim, pra te konsumatori final.Vetëm nga këto dy tarifa indirekte, barra fiskale pritet të trefishohet (nga 10 në 30 milionë euro).Më poshtë jepen të detajuara taksat e “fshehta” të 2016-s, disa të trashëguara nga qeverisja e mëparshme dhe disa të shtuara vitin e fundit.
Tarifat më të larta për licencimet
Në fillim të dhjetorit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Sipas operatorëve të tregut, të paktën në vitin e parë, kjo tarifë do të ndikojë në 5-10 lekë në çmimin e naftës, pasi tregtuesit do e kalojnë këtë kosto te çmimet finale, që paguhen nga konsumatori.
Teksa nafta në bursat ndërkombëtarë ka arritur gjatë ditëvetë fundit në nivelet më të ulëta të 14 viteve, në Shqipëri një litër naftë vijon të shitet me pakicë në rreth 155-162 lekë për litër, e 19-a më e shtrenjtë në botë. Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohojnë se reflektimi i tarifës së rilicencimit ndikon në mosuljen e çmimeve me të njëjtat ritme si në bursat ndërkombëtare.
Aktualisht, sipas të dhënave nga INSTAT janë rreth 1100 pika tregtimi me pakicë, teksa Shqipëria është një vend unik për nga numri i tyre i lartë në raport me popullsisë. Në bazë të ligjit Nr.8450, date 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” autorizimet për pikat e tregtimit me pakicë jepen nga organi i pushtetit vendor për një periudhe deri ne 5 vjet me të drejtë përsëritjeje.
Aktualisht, pjesës më të madhe të pikave të tregtimit u ka mbaruar leja dhe duhet ta rinovojnë atë, sidomos në Tiranë, ku gjatë kohës që e drejtonte e djathta nuk është rinovuar asnjë leje.
Në total, nëse llogaritim që minimumi 50% e 1100 pikave do të duhet të paguajnë për rinovim licence në 2016, në total do të duhet të paguajnë të paktën 10 milionë euro në 2016-n.
Mbifaturimi i energjisë
Ka ankesa të vazhdueshme se, se OSHEE mbifaturon bizneset duke manipuluar me burimin e furnizimit të mesëm me tension të ulët, duke krijuar kështu një mospërputhje ndërmjet sasisë së energjisë së konsumuar dhe asaj që faturohet. Ndërmarrja “FIX PRO” Shpk, është ankuar tek Autoritetit të Konkurrencës ndaj SHEE, lidhur me faturimin gabim nga ana e kësaj ndërmarrjeje. Sipas ndërmarrjes “FIX PRO” Shpk, se është kategorizuar si klient që furnizohet nga Tensioni i Ulët (TU)pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM)pika e lidhjes, pasi kabina elektrike është investim i tij.
ERE pretendon se operatori OSHEE duhet te bëjë faturimet sipas Tensionit të Mesëm, dhe më pas të kompesohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse. Nga ana tjetër ERE pretendon se ka marrë ankesa edhe nga shoqata të tjera për të njëjtin problem dhe do të gjejnë zgjidhje me zbatimin e ligjit te ri “Per sektorin e energjisë” dhe modelit të ri të tregut, i cili parashikon që një “furnizues universal” dhe faturimet do te kryhen ne bazë të tensionit real te konsumuar.OSHEE pretendon se ne rast se biznesi do te faturohet me tarifat e TU duhet të kryejë investimet përkatëse për të transferuar piken e matjes.
Koncesionet e Rapiscan GFI dhe SICPA
Nga shtatori i vitit të kaluar, ka hyrë në fuqi kontrata e skanimit me Rapiscan, e cila parashikon pagimin e 22 euro për çdo deklaratë doganore, pavarësisht nëse bëhet apo jo skanimi. Një biznes që e ka të mbështetur aktivitetin në eksport dhe import pohon se tarifa që i duhet të paguajë për koncesionin e skanimit, Rapiscan është e barabartë me pagesën e Tatimit mbi Fitimin. Kostoja në këto nivele vlen më së shumti për bizneset e fasonit dhe linjat të agropërpunimit. Alban Zusi, administrator i kompanisë së përpunimit të peshkut “Poseidon” pohoi se aq sa ka paguar tatim- fitim për dy muaj ka paguar edhe tarifa për Rapiscan. Zusi tha se, pagesa e skanimit i ka rritur kostot e biznesit që drejton në mënyrë marramendëse, duke e vënë industrinë e përpunimit në situatë të vështirë dhe para një konkurrencë të pabarabartë rajonale.
Tarifa e skanimit është 22 euro mbi të gjitha deklaratat doganore me vlerë 1000 euro e sipër, ndërsa deklaratat doganore nën 1000 euro do të tatohen me 5 euro. Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që bizneset do paguajnë në 2016-n llogaritet nga 7-9 milionë euro (disa biznese u përjashtuar nga pagesa dy herë e kësaj tarife) dhe 2-4 milionë euro do paguhen nga buxheti (indirekt sërish taksat tona), pasi koncesionari në bazë të marrëveshjes do të marrë 11.3 milionë euro në vitin e parë .Markimi është një tjetër taksë e fshehtë, që po paguhet prej disa vitesh, pas koncesionit me kompaninë GFI. Shoqata e Hidrokarbureve pohoi se, edhe pse nafta as nuk markohet dhe as nuk skanohet, biznesi paguan tarifat të cilat janë përfshirë në çmime 2 lekë për litër.
Ndërsa grosistët e cigareve pohuan se kosto e pullës fiskale është rritur me tre herë me dhënien e saj me koncesion ndaj kompanisë SICPA. Vitin që shkoi llogariten 3.2 milionë euro pagesa vetëm për pullën fiskale nga grosistët e cigareve, të cilat janë transferuar në çmimet për konsumatorët fundorë, me më shumë se 2 lekë për paketë, ndërkohë që importi i cigareve është në rënie pikiatë dy vitet e fundit, çka tregon se ky shërbim nuk ka kryer funksionin e tij, atë të uljes së informalitetit.
Trajnimi për mbrojtjen nga zjarri
Bizneset kryesisht në fushën e edukimit dhe të tjera paguan në fund të vitit që shkoi 30 mijë lekë si tarifë trajnimi për mbrojtjen nga zjarri. Shumë subjekte të arsimit privat parashkollor pohuan se, e paguan tarifën edhe pse shërbimi i trajnimit nuk u mor i plotë.
Më të lexuarat








