Ligji i pronave ne Kuvend, do rishikohen mbi 4600 vendime
Kuvendi ka nisur shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Trajtimin e Pronës, i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese vitin e shkuar.
Projektligji u prezantua para deputetëve në Komisionin parlamentar të Ligjeve nga Zëvendësministrja e Drejtësisë Adea Pirdeni. Ajo tha se ndryshimet do bëjnë të mundur që pronarët të përfitojnë minimalisht 10% të vlerës aktuale të pronës.
Prej ndryshimeve do të rishikohen mbi 4600 vendime kompensimi, me një kosto financiare shtesë prej 18.5 miliardë lekësh, apo afërisht 180 milionë dollarësh për buxhetin e shtetit.
Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, në cilësinë e relatores së Projektligjit tha se, ndryshimet adresojnë tre kushtet e vendosura nga Gjykata e Strasburgut dhe ajo Kushtetuese, duke theksuar se kushti që vlera minimale e kompesnimit prej 10% të vendoset në ligj dhe jo vendim i Këshillit të Ministrave.
Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan që në diskutime të përfshihen edhe shoqatat e pronarëve, ndërkohë që këmbëngulën që i pranishën në Komision të ishte Ministri i Drejtësisë./Burimi: SCAN