Secondary Adv

ERE publikon shifrat e 8-mujorit, Fierza nen mesataren historike

Niveli i Liqenit të Fierzës ka pësuar rënie të ndjeshme në korrik dhe gusht, krahasuar me muajt e parë të vitit, që gjithsesi ishin nën mesataren historike shumëvjeçare.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë në korrik niveli mesatar i Fierzës ishte 281.5 m, nga 284.98 m, që është mesatarja historike.

 

Ndërkohë që, në muajin gusht niveli ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke arritur në 270.4 m, një vlerë nën mestaren historike që është 279.25 m.

 

Rënia e nivelit të Fierzës nënkupton se KESH ka shfrytëzuar ujin në Kaskadë për prodhimin e energjisë e që normalisht shoqërohet edhe me një rënie të rezervës energjetike.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, rezerva energjetike në datën 19 shtator, ishte 483 Gwh, nga 1012 Gwh që ishte në datën 5 korrik.

 

Ndonëse ka një përmirësim të lehtë, në raport me datën 10 shtator, përgjysmimi i rezervës energjetike është i ngjashëm me atë të vitit të kaluar, ku në fundin e muajit maj 2021 rezultoi në nivelin maksimal prej 1520 Gwh dhe në fund të muajt gusht kjo rezervë energjitike shkoi në 628 Gwh.

 

Gjithsesi, shfrytëzimi i lartë i rezervës energjetike duket se nuk ka mjaftuar për të plotësuar nevojat konsumatore, duke qenë se edhe përgjatë këtyre muajve KESH ka realizuar një sërë blerjesh energjie, duke shpenzuar miliona euro./Burimi: SCAN


Më të lexuarat