Secondary Adv

ARRSH zbulon projektin per ndertimin e Bypassit te Elbasanit, detajet

Rritja e volumit të trafikut në dejtim të Juglindjes së vendit ka bërë që të shihet mundësia për një Bypass në qytetin e Elbasanit i cili do shmangte kalimin nëpër qytet.

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar tashmë po kërkon kompaninë që do të bëjë “Studim projektim By Pass Elbasan” duke e rifreskuar projektin që ka disa kohë që diskutohet me situatën reale në terren.

 

“Unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar. Prandaj dhe është më se e nevojshme studimi dhe ndërtimi i ByPass-it të qytetit të Elbasanit,

 

duke shmangur kështu zonat urbane, rritjen e kapacitetit të lëvizjes së trafikut përgjatë korridorit VIII si dhe rritjen e sigurisë si për përdoruesit e rrugës, ashtu edhe të banorëve të zonave përreth, që ndikohen nga ky aks rrugor” thuhet në dokumentin e ARRSH.

 

Konsulenti që do të bëjë studimin do të duhet të analizojë në detaj zonat ku do të kalojë ky segment dhe ndikimin që do të ketë në ndërtimet e zonës si dhe të gjejë alternativën më të mirë me pasoja më minimale.

 

Po kështu do të studiohen kushtet e tokës, ato të hidrologjisë. Projekti është menduar të nisë nga përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas.

 

Duke qenë se aktualisht për këtë zonë po zbatohet edhe një projekt tjetër siç është “Zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan-Qafë-Thanë” rreth 1 440 m larg fshatit Labinot Fushë” kjo pikë është një tjetër alternativë për përfundimin e Bypassit.

 

Rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me 3.75 gjerësi secila, një korsi emergjence, bankinë të asfaltuar, si dhe ishull trafiku. “Bazuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Elbasan, gjurma e ByPass-it të këtij qyteti është tashmë e përcaktuar.

 

Por evoluimi i shpejt dhe në disa raste i pa kontrolluar i ndërtimeve dhe urbanizimi i zonës përreth qytetit të Elbasanit, mund të kërkojë studimin e varianteve alternative për gjurmën e ByPass-it.

 

Gjithashtu, nga PPV-ja nuk janë marrë në konsideratë problemet hidrologjike, gjeologjike apo edhe relievi i zonës ku kalon ByPass-i, prandaj dhe ky studim më i detajuar, do nxjerr në pah këto problematika.

 

Zgjidhjet e propozuara në projekt-ide, në qoftë se është nevoja, edhe lëvizja e aksit të rrugës nga gjurma e parashikuar në PPV, duhet të konsultohet dhe miratohet në bashkëpunim me qeverisjen vendore, Bashkinë Elbasan” thuhet në dokument.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/arrsh-projekt-per-nje-bypass-ne-elbasan-nis-ne-fund-te-autostrades-me-tiranen/


Më të lexuarat