Kostot e sigurimit te punonjesve, nga 2016-2020 u rriten me 18 per qind
Kostot e sigurimeve që paguajnë punëdhënësit për punonjës janë rritur gjatë periudhës 2016 -2020 nga 1.2% në 18.2% në varësi të aktiviteteve ekonomike.
Një anketë e INSTAT për përllogaritjen e kostos së punës, shihet se vlerën më të lartë në pagesën e sigurimeve shoqërore për punonjës e kanë aktivitetet financiare të sigurimit, ato profesionale dhe aktivitetet administrative.
Sigurimet për punonjës në këto aktivitete janë mesatarisht 142,347 në vit, me një rritje 18% në krahasim me vitin 2016. Të dytët në renditje për kostot e larta të sigurimeve janë profesionistët e biznesit me 123,470 lekë mesatarisht në vit, me një rritje gati 12% nga viti 2016.
Për punonjësit në aktivitet e shërbimeve (shiko tabelën bashkëngjitur) kostot e sigurimeve shoqërore arrijnë mesatarisht 123,339 lekë në vit me një rritje 7.7% nga viti 2016, ku u krye edhe anketa e parë për këtë qëllim.
Për sektorët e arsimit dhe të shëndetësie kosto mesatare e sigurimeve për punonjës është 123,123 lekë në vit me një rritje vetëm 1.2 % nga viti 2016. Punonjësit në këto sektorë kryesisht janë të angazhuar në sektorin publik
Në sektorët e tregtisë, transportit, telekomunikacionit dhe TIK, kosto vjetore e sigurimeve për punonjës arrit i 112,234 lekë me rritje 10.6% nga viti 2016 më 2020.
Në sektorin e industrisë dhe ndërtimit, kosto mesatare e sigurimeve për punonjës është 103,6695 lekë me rritje 14% përgjatë katër viteve.
Kostot e sigurimeve zunë 14.2 për qind të kostos totale të pagesave që punëdhënësit japin ndaj një punonjësi në një vit. Pesha e këtij zëri në vitin 2016 ishte 14.3%. Kostot e sigurimeve janë rritur përgjatë periudhës 2016-2020 kryesisht për shkak të pagës minimale.
Në vitin 2016 rreth 44 % e punonjësve të punësuar me pagë, paguheshin në nivelin minimal. Në vitin 2016 paga minimale ishte 22 mijë lekë, ndërsa në vitin 2020 niveli i pagave minimale ishte 26 mijë lekë ose 18 % më shumë.
Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shumë se 87 orë në muaj për sigurimet shoqërore është 24.5% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit 9.5%.
Sigurimi shëndetësor është 3.4% të pagës bruto, sipas listë-pagesës, ku pjesa e punëdhënësit është 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%./Burimi: Montior https://www.monitor.al/2016-2020-kostot-e-sigurimeve-qe-bizneset-paguajne-per-punonjesit-u-rriten-deri-ne-18/