Kina dhuron 10 ekskavatore per pastrimin e kanaleve kulluese
Kina dhuron 10 ekskavatorë për Ministrinë e Bujqësisë. Kjo u konfirmua gjatë takimit të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave, Edmond Panariti me ambasadoren kineze, Jiang Yu.
Palët vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, arritjet e shënuara dhe theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në funksion të identifikimit të projekteve të përbashkëta në mbështetje të bujqësisë shqiptare. Në emër të qeverisë shqiptare, ministri Panariti falënderoi ambasadoren Jiang Yu për ndërmjetësimin e një projekti në mbështetje të bordeve të kullimit, konkretisht në financimin e një flote prej dhjetë ekskavatorësh të rinj të fuqishëm për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kryesore kulluese.
Ministri Panariti u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm drejt rinovimit të flotës së mjeteve motorike për përballimin e përmbytjeve. Kina do të mbështesë Shqipërinë në sektorin e ujitjes së tokave. Këtë vit do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë midis Ministrisë së Bujqësisë shqiptare dhe Ministrisë së Burimeve Ujore të Kinës. Ambasadorja shprehu angazhimin për të vënë këto mjete sa më parë në dispozicion të Ministrisë së Bujqësisë.