Secondary Adv

Financat: Kadastra fiskale deshtoi, bashkite nuk regjistrojne dot pronat

Objektivat e përcaktuara nga Ministria e Financave për vitin 2021 për krijimin e taksës mbi pronën të bazuar në vlerën fiskale të një zone nuk janë përmbushur.

 

Mosarritjen e këtij objektivi Ministria e Financave e bëri të ditur në një analizë për ecurinë e Strategjisë së Menaxhimit të Financave.

 

Qëllimi i kadastrës ishte konsolidimi dhe përmirësimi i cilësisë së të gjitha të dhënave ekzistuese për tokën, ndërtesat dhe pronarët, banorët, si dhe llogaritja e detyrimit tatimor vjetor që lidhet me secilën pronë.

 

Ministria e Financave vuri në dukje se regjistri i pronave nuk mund të kryhej për shkak të cilësisë së ulët të të dhënave dhe mungesës së angazhimit të bashkive në regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave në sistem.

 

Objektivi i produktit në lidhje me procesin e vlerësimit të zonave me vlerë për ndërtesat e përcaktuara në të gjitha bashkitë nuk u arrit.

 

Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues.

 

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pohojnë se, qasja në të dhënat e tregut është thelbësore, në një sistem taksimi bazuar në vlerën e tregut.

 

Pa të dhëna të sakta, të plota dhe të përditësuara nuk është e mundur të përcaktohen vlerat e vlerësuara që reflektojnë vlerën e tregut. Në këtë mënyrë aksesi në të dhënat e plota të tregut është një parakusht për të qenë në gjendje të kryhet një vlerësim cilësor.

 

Për më tepër, që të reflektohen ndryshimet e vlerës së tregut që ndodhin me kalimin e kohës, është thelbësore që të dhënat të jenë të përditësuara. Kjo do të thotë që të dhënat e reja duhet të shtohen dhe të analizohen rregullisht.

 

Reforma mbi taksën e pasurisë synon një taksë të drejtë dhe transparente. Një vlerë zyrtare e vlerësimit të pasurive është një mënyrë për të arritur këtë qëllim.

 

Në shumë vende, një vlerë e vlerësuar zyrtare përcaktohet nëpërmjet një vlerësimi kombëtar. Qëllimi është të përcaktohet një vlerë që reflekton vlerën e tregut.

 

Në një sistem bazuar në vlerën e tregut, taksa e pasurisë do të jetë më e lartë ose më ulët në varësi të faktorëve siç mund të jenë: vendndodhja apo karakteristikat e pronës, etj.

 

Drafti i ri/Do ndryshojë taksa e ndërtesës

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ndërkohë është duke rishikuar vendimin e metodologjisë për llogaritjen e vlerës së taksës së ndërtesës.

 

Drafti i ri nuk synon ndryshimin e nivelit të taksës që është sa 0,05% e vlerës së shtëpisë, por bazën e llogaritjes së taksës që është vlera e shtëpisë.

 

Ndryshimet e bazës së llogaritjes së taksës synojnë të përafrojnë nivelin e taksimit me çmimet aktuale të apartamenteve, ku në shumë zona të kryeqytetit, kryesisht ndërtimet e reja kanë pësuar rritje të lartë.

 

Për rrjedhojë pritet që për të përcaktuar vlerën e shtëpisë do të përdoren çmimet sipas kontratave të shit-blerjes së regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës./Burimi: https://www.monitor.al/financat-kadastra-fiskale-deshtoi-bashkite-nuk-arrijne-te-regjistrojne-pronat/


Më të lexuarat