Rritet nafta ne Kosove, me shtrenjte se Mali i Zi e Maqedonia e Veriut
Çmimi i naftës për 1 litër është 1.48 në Mal të Zi, 1.50 për një litër në Maqedoni të Veriut e në Kosovë 1.70 euro për 1 litër.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se me këtë çmim të naftës nuk mund të ketë konkurrencë me bizneset e vendeve të rajonit.
Kurtishaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se nafta në Kosovë është për mbi 20 centë më shtrenjtë se në Mal të Zi e Maqedoni. “Sot çmimi i naftës për 1 litër është 1.48 në Mal të Zi, 1.50 për një litër në Maqedoni të Veriut e në Kosovë 1.70 euro për 1 litër!”
“22 cent është ndryshim i madh i çmimit për 1 litër naftë, ky ndryshim i madh i çmimit bizneset kosovare i bënë jo të barabartë në tregun rajonal”. Kurtishaj ka kërkuar që të ketë reagime nga sektori i bizneset që është edhe më i prekuri me këtë rast.
“A ka përfaqësues te bizneseve qe duhet me reagua apo duhet me u pajtua me te gjitha të këqijat e mundshme”, ka shkruar tutje Kurtishaj.
Ndryshe, të shtunën Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për të iu kërkuar largimin e çmimit tavan të derivateve.
Në letrën e tyre thuhet se ky vendim është skandaloz pasi sipas tyre, çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Tutje, thuhet se në këtë mënyrë shumë kompani janë duke punuar me humbje të mëdha dhe shumë shpejt do të falimentojnë.
“Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje trashanike, dhe shumë shpejt shumë nga kompanitë do të falimentojmë, për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan.
Ku si kompanitë e mëdha, po ashtu ato individuale me kosto më të ulët të operimit, janë barazuar”, thuhet ndër të tjera në letrën e naftëtarëve. Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë të njëjtin vendim.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) për shitje me shumicë të jetë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
Edhe në muajin mars, ishte marrë vendimi që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6%.