Miratohet projekt-buxheti per vitin 2023, ekonomia rritet me 2.6 per qind
Ministrja e Financave ka bërë me dije sot pas mbledhjes së qeverisë, se është shqyrtuar projekt-buxheti për vitin 2023.
Ministrja Ibrahimaj tha se gjatë viti të ardhshëm parashikohet që inflacioni të fillojë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6%. “Ne parashikojmë që gjatë vitit 2023 ekonomia shqiptare të rritet me një normë 2.6% në terma realë dhe 5.7 % në terma nominalë.
Lidhur me parametrat ekonomikë, kemi disa skenarë, parashikojnë një recension teknik të vendeve të BE e kjo është arsyeja pse e kemi ulur parashikimin për 2023 nga mbi 3% që e kishim në fillim të këtij viti në 2.6%.
Marrim parasysh që rreziqet që lidhen me parashikimin për vitin e ardhshëm janë në krahun rënës e ky projekt buxhet do bëjë të mundur të krijojë hapësirat që ekonomia të përballojë rreziqet në një formë të duhur e solide duke krijuar hapësira për çdo goditje që mund të vijë në të ardhmen.
Projekt-buxheti do tu prezantohet në detaje në javët në vijim për çfarë parashikon. Ky buxhet do të vijojë që të mbështesë energjinë elektrike, pra mosrritjen e çmimit për energjinë elektrike që mos të preken konsumatorët dhe bizneset e vogla”, tha ajo.
Në mbledhje po ashtu është diskutuar për amnistinë fiskale si dhe për sigurinë kibernetike. “Amnistia fiskale është një ligj i veçantë dhe nuk është parashikuar në projekt buxhetin që miratuam.
Është ende në konsultim publik me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji. Roli i Presidentit të Republikës është që të thërrasë komitetin e sigurisë kombëtare.
Diskutuam për sigurinë kibernetike ku çdo institucion raportoi mbi masat e marra, nivelin e goditjes dhe masat që do të merren në vijim”, u shpreh ajo./Burimi: Balkanweb