Rritet interesi per fotovoltaiket, 3 aplikime te tjera dorezohen ne MIE
Kërkesat për impiante fotovoltaikë me kapacitete nga më të ndryshmet paraqiten javë pas jave në MIE.
Së fundmi MIE njoftoi se janë paraqitur për miratim tre aplikime të reja. I pari është një projekt i “VANA SOLAR PARK” SH.P.K. për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme,
me kapacitet 5 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Zonën Kadastrale Nr. 3710, Fshati Vanë, Bashkia Delvinë, Qarku Vlorë.
I dyti është një projekt i shoqërisë “GREEN VITALITY” SH.P.K për një impiant po 5 Mw edhe ky në fshatin Fshati Vanë. I treti është projekti nga bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “HSD ENERGY” SH.P.K,
“IPOWER” SH.P.K dhe “LUMIERE DU SOLEIL” SH.P.K që kanë shprehur interesin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 25 MË në Zonën Kadastrale Nr. 1991, Fshati Jagodinë, Njësia Administrative Shirgjan, Bashkia Elbasan, Qarku Elbasan.
Ministria ka bërë të ditur se projektet do të qëndrojnë të afishuara për disa ditë duke pritur komente nga palë të mundshme interesi.
Interesi për energjinë fotovoltaike është rritur në mënyrë të shpejtë nga viti 2017 kur u miratua ligji për burimet e rinovueshme por kriza e energjisë i ka dhënë një ritëm të ri projekteve që paraqiten pranë institucioneve.
Ministria aktualisht ka në rishikim ligjin e burimeve të rinovueshme dhe ka njoftuar duke parashikuar gjithashtu lehtësime për autoprodhuesit me një bilanc tashmë vjetor që pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2023.
Interesin në rritje e konfirmoi pak javë më parë edhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
“Në total nga të gjitha aplikimet që janë pranuar gjatë 2022, ku duhet thënë që aplikimet e entiteteve private janë shtuar ndjeshëm për shkak edhe të fizibilitetit që energjia solare ka tashmë në treg, janë 610 megavat/orë impiante private, të cilat priten që të nisin gjenerimin” do të nënvizonte Balluku.