Secondary Adv

Jo vetem bizneset, edhe Qeveria larg Euros, 96 per qind e borxhit ne Leke

Në një vit kur monedha evropiane është luahtur në nivelet me të ulëta historike, nuk ka qenë vetëm biznesi ai që ka marrë masa për t’u mbrojtur, por edhe Qeveria.

 

Ndërsa po i gëzohet normave lehtësuese të shërbimit të borxhit të jashtë, Qeveria Shqiptare është distanduar fort edhe nga borxhi i brendshëm në monedhën euro. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit u emetuan rreth 200 miliardë lekë në tituj.

 

Por rreth 96% e kësaj vlere përfaqësohej nga tituj borxhi të emetuar në monedhën vendase, ndërsa vetëm 8 miliardë lekë ose 4% e emetimit total, ishin emetim në monedhën evropiane.

 

Bie në sy se emetimet në tituj afatshkurtër vijojnë të përbëjnë pjesën mbizotëruese të vëllimit të titujve të emetuar. Emetimi në tituj afatshkurtër zë rreth 63% të borxhit të brendshëm.

 

Gjatë periudhës u emetuan rreth 130 miliardë lekë në tituj afatshkurtër dhe kjo sasi ishte përkatësisht 34% dhe 2% më shumë në krahasim me vëllimin e gjashtëmujorit të dytë dhe të parë të vitit të kaluar.

 

Rreth 93% e borxhit afatshkurtër përbëhet nga bonot e thesarit me maturim 12-mujor. Emetimi i bonove 12-mujore ishte rreth 120 miliardë lekë ose 37% dhe 4% më i lartë nga përkatësisht emetimi i periudhës së mëparshme dhe ndaj një viti më parë.

 

Emetimi i bonove të thesarit me maturim 6-mujor ishte gjithashtu më i madh në krahasim me vëllimin e emetuar një gjashtëmujor më parë, por u zvogëlua lehtë në krahasim me vëllimin e emetuar gjatë së njëjtës periudhe një vit më parë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat