Secondary Adv

Paketa fiskale 2023 parashikon gjoba rekord per biznesin e madh

Nga janari 2023, tatimpaguesit e mëdhenj nëse kapen nga organet tatimore duke bërë furnizime pa fatura për herë të dytë do të gjobiten me 1.5 milionë lekë.

 

Kjo është gjoba më e lartë që është parashikuar ndonjëherë për bizneset në historinë e pas tranzicionit. Propozimi u bë nga Ministria e Financave në projekt paketën fiskale 2023, e cila parashikon një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore,

 

i cili synon dhjetëfishim të gjobave për mos- lëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3 të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ.

 

Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.” 

 

Sakaq pika 3 germa A në nenin 123 i procedurave tatimore aktualisht thotë: “Për tatimpaguesin, i cili, për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje, merren edhe masat e mëposhtme:  

 

gjobë prej 50 000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH; 100 000 lekë, për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH; 150 000 lekë, për tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatim fitimi dhe TVSH”. 

 

 Në këtë nen ndryshon penaliteti për biznesin i madh i cili dhjetëfishohet. Me ketë ndryshim Ministria e Financave synon të disiplinojë bizneset për përdorimin e faturave fiskale.

 

Ministria e Financave synon që të aplikojë gjobën e dhjetëfishuar tek bizneset e mëdha dhe nëse e përsërisin shkeljen.

 

Sipas ligjit aktual të Procedurës Tatimore, Personi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose i faturës shoqëruese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dhe për TVSH, kryen shkelje nëse;

 

-Nuk lëshon faturë për çdo furnizim të mallrave ose të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë;

-Nuk lëshon faturë për çdo pagesë të bërë përpara furnizimit të mallit ose përpara përfundimit të shërbimit

 

-Nuk lëshon faturë për çdo pranim të mallrave ose të ofrimit të shërbimit, nëse është subjekt i “vetëfaturimit”;

 

-Nuk lëshon faturë në kohën e furnizimit të mallrave ose shërbimeve ose brenda afateve kohore të parashikuara që përbëjnë përjashtim të këtij rregulli;

-Lëshon faturë që nuk përmban të gjitha elementet e përcaktuara të faturës; 

 

dh) faturën që lëshon për pagesat me para në dorë dhe, në raste të veçanta, faturën për pagesat pa para në dorë, nuk i shtyp në letër e nuk zbaton procedurën e fiskalizimit, si dhe nuk i dorëzon faturën blerësit në kohën e furnizimit;

 

-Shuma e parave në dorë të arkëtuara mbi maksimumin e arkës ose nëse shuma totale, në rastet e përcaktuara, nuk depozitohet në një llogari të hapur në bankë, jo më vonë se fundi i ditës së ardhshme të punës;

 

Nuk lëshon faturë shoqëruese për çdo lëvizje të mallrave nga një vend në tjetrin pa tjetërsim të pronësisë ndaj mallrave.

 

 Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25 000 lekësh.

 

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 50 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar.

 

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në dënohen me gjobë prej 75 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/projekt-paketa-fiskale-2023-parashikon-gjoba-rekord-deri-ne-13-mije-euro-per-bizneset-e-medha/


Më të lexuarat