Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 0.1 pikë përqindjeje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, bëri të ditur të premten BSH-ja, në raportin e Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit.
Sipas BSH-së, në shumicën e sektorëve pati një rritje të indeksve të besimit, por si kundërpeshë në ulje shërbeu sektori i shërbimeve.Treguesi i besimit në shërbime ra me 4.1 pikë përqindjeje në tremujorin e katërt të vitit 2015. Ndërsa treguesi i besimit në tregti shënoi rritje me 0.5 pikë përqindjeje, krahasuar me nivelin e tremujorit paraardhës. Tregtia raportoi një përmirësim të situatës financiare dhe gjendjes së përgjithshme të biznesit, por masa e rritjes së besimit u frenua nga ulja e punësimit në raport me një tremujor më parë. Përmirësimet në sektorin e ndërtimit këtë vit po reflektohen edhe në besimin e bizeseve.Treguesi i besimit vijoi përmirësimin në tremujorin e katërt, duke shënuar rritje me 6.8 pikë përqindjeje dhe tashmë qëndron mbi mesataren afatgjatë. Rritja u mbështet nga përmirësimi i ndjeshëm në kërkesë, prodhim dhe në gjendjen e punësimit të sektorit.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 4.2 pikë përqindjeje në tremujorin e katërt. Pavarësisht luhatjeve tremujore, niveli i këtij treguesi ka qëndruar mbi mesataren afatgjatë gjatë dy viteve të fundit. Treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit me rreth 0.9 pikë përqindjeje në tremujorin e katërt të vitit 2015, duke u pozicionuar lehtësisht mbi mesataren e tij afatgjatë. Konsumatorët raportuan për një rritje të blerjeve në vlera të mëdha, por nga ana tjetër, u shprehën më pesimistë në pritshmëritë për gjendjen financiare gjatë tremujorit vijues.