Secondary Adv

BB: Shqiperia jo me ne krye te listes te vendeve me nivelin me te larte te kredive te keqia

Shqipëria nuk mban më njollën e vendit me nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon.


Mbështetur në të dhënat krahasuese të Bankës Botërore,  Shqipëria ja ka lënë kryesimin jo shumë të lakmuar, Serbisë. Mbështetur në të dhënat më të fundit dhe që i takojnë Nëntorit 2015, shkalla e kredive me probleme në sistemin bankar shqiptare ka zbritur në 19.9%, niveli më i ulët në katër vitet e fundit.
Masat e marra në vitet e fundit dhe sidomos pastrimi i bilanceve nga kreditë e klasifikuara si të humbura prej vitesh, kanë dhënë efektin e tyre në një ulje të shkallës së kredive me probleme me rreth pesë pikë përqindjeje. Tashmë, niveli më i lartë i kredive me probleme regjistrohet në Serbi, me 22.8%.


Për Serbinë ky tregues ka regjistruar rritje krahasuar me vitin 2014. Fakt ngelet se Shqipëria vazhdon të jetë ndër vendet me nivele të larta të kredive të këqija krahasuar me pjesën tjetër të rajonit, por është padyshim vendi që ka bërë më shumë përparime për uljen e këtij treguesi gjatë vitit 2015.Vendet e tjera kanë shkallë më të ulët të kredive me probleme, por ky tregues ka qënë i qëndrueshëm dhe me luhatje minimale gjatë vitit të kaluar. Nivelin më të ulët të kredive me probleme e ka Maqedonia, me 11%, e ndjekur nga Bosnja me 14.1% dhe nga Mali i Zi me 16.7%.


Në një këndvështrim më të gjerë, nivelet më të larta të kredive me probleme në Europë vazhdojnë t’i mbajnë vendet që kaluan kriza të rënda në sistemin financiar. Kreditë me probleme në Qipro kanë nivelin rekord prej 44.8%, ndërsa në Greqi ky tregues ka vazhduar të rritet dhe ka arritur në 34.4%.


Më të lexuarat