Nisin shpronesimet te Bulevardi i ri, publikohet lista me 200 pronaret
Rishikimi i projektit për segmentin nga Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri dhe Rikualifikimi i Unazës Lindore parashikon prishjen e shumë ndërtimeve ekzistuese.
Ka hyrë tashmë në fuqi vendimi për shpronësimet nga të cilat do të preken rreth 200 pasuri, kryesisht të llojit truall bashkë me ndërtimet përkatëse.
Këshilli i Ministrave ka publikuar listën më pronarët e pasurive të paluajtshme, prone private, që shpronësohen për prona të llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”. Fatura totale e shpronësimeve shkon në 3.1 miliardë lekë, afërisht 31 milionë dollarë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimit të Qeverisë në Fletoren Zyrtare ndërkohë që afati i përfundimit të shpronësimit duhet të përfundojë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përcakton Këshilli i Ministrave, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit, për interes publik, të pasurive prone private, të cilat preken nga realizimi i projektit.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin, kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe regjistrimi i aktit të kalimit të pronësisë në favor të ARRSH për pasuritë e shpronësuara./Burimi: SCAN