Secondary Adv

360 mln euro paketa kunder krizes, qytetaret maqedonas te pakenaqur

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një paketë masash prej 360 milionë euro kundër krizës për kategoritë e rrezikuara sociale.

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, thotë se prioritet i qeverisë mbetet mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive.

 

“Masat janë për uljen e shpenzimeve dhe konsolidim fiskal të shtetit, gjithashtu për rritjen e të ardhurave. As unë, as ndonjë ministër nuk kemi thënë, se ndonjë të punësuari do t’i ndërpritet kontrata e punës dhe se do të mbetet pa punë”, ka deklaruar Kovaçevski.

 

Sindikata e Punonjësve të Administratës Publike vlerëson, se qeveria me këto masa anti-krizë është në kundërshtim me ligjin e punës. Tërpe Deanoski kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Administratës Publike thotë se, masa të tilla do t’i kundërshtoj me të gjitha format e mundshme.

 

Zdravko Savevski nga Instituti për Shkenca Humane dhe Shoqërore, masat e qeverisë i cilëson si “ndihmë e parë” në gjendje emergjente.

 

Ai thekson se krahas këtyre masave, qeveria maqedonase duhet të parandalojë edhe rritjen e çmimeve jo vetëm përmes kufizimit të marzhës, por edhe me ndryshimin e politikave tatimore.

 

Drilon Iseni nga OEMVP thotë, se këto masa më shumë i adresojnë problemin social dhe nuk janë të qëndrueshme. Për bizneset nuk mund të thuhet se ka ndonjë masë konkrete që do të ndihmojë.

 

Nëse mungon ndihma për kompanitë në aspektin e mbulimit të kostove të mëdha për energjinë elektrike një pjesë e tyre do t’i mbyllin bizneset e tyre.

 

Qytetarët thonë se ndihma financiare prej rreth 50 eurove, përkatësish 25 euro për kategorinë e qytetarëve me status të rrezikuar social dhe për pensionistët, është e pamjaftueshme kur merret parasysh vala e shtrenjtimit masiv dhe akut të produkteve bazë.

 

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave , shporta e konsumit për një familje me katër anëtarë ka arritur në 50.000 denarë apo rreth 800 euro, ndërkohë që paga mesatare është diku më shumë se 500 euro./Burimi: SCAN


Më të lexuarat