Kerkohet pezullimi i akcizes dhe TVSH per importin e naftes ne Kosove
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, i ka propozuar Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse, që të pezullojnë akcizën dhe TVSH-në për importin e naftës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka caktuar çmimet tavan për shitjen e derivateve të naftës për 24 orët e fundit në Kosovë.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.77 euro për litër, i benzinës me 1.41 euro dhe i gazit me 0.73 euro, pra ka lirim prej 1 centësh për naftë dhe gaz, derisa ka mbetur i pandryshuar ai benzinës.
Këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e së martës. Pavarësisht zbritjes së dukshëm të çmimit të derivateve të naftës në botë, vlera e naftës në Kosovës në javët e fundit ka shënuar vlera rekorde, për t’u rritur dita-ditës.
Për ketë ka reaguar edhe njohësi i rrethanave ekonomike, Safet Gërxhaliu, i cili i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë përkohësisht akcizën e naftës ose të ngrijë TVSH-në në mënyrë që të zbutet rritja astronomike e kostos së saj në tregun kosovar.
Gërxhaliu një propozim të këtillë e ka dhënë, duke thënë se me pezullimin e akcizës, çmimi i naftës do të ishte 1,26 euro për litër. Ndërkaq, me largimin e TVSH-së, nafta do të kushtonte 1.49 euro për litër.
“Sikur sot Qeveria e Kosovës të largoj apo të pezullojë përkohësisht akcizën e naftës, çmimi do të ishte 1,26 Euro për litër! Sikur sot të ngrihet TVSH-ja 18% në importin e naftës e të mbetet akciza prej 0.36 Euro për litër atëherë çmimi në shitje sot do të ishte 1.49 Euro për litër!”.
Ai ka kërkuar që Kosova të mos kthehet në shtet social. “Çmimi sot në Porto Romano është 1235 Euro për tonë”. “Transporti , çmimi deri në kufi për doganim, akciza, TVSh-ja dhe kostoja operative në Shqipëri po e bëjnë çmimin e naftës në Kosovë ndër më të lartin në rajon!
Zgjidhja ekziston por duhet guxim politik për veprim!”. Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë të njëjtin vendim.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) për shitje me shumicë të jetë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
Edhe në mars, ishte marrë vendimi që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.