Secondary Adv

Raporti i KE: Shqiperia me ecurine me te dobet ekonomike ne Rajon

Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet e Rajonit, që kanë pasur ngadalësimin më të lartë të ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit, sipas raportit të fundit të KE.

 

Sipas raportit, rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor vazhdoi të zbutet në tremujorin e dytë të 2022. Megjithëse ngadalësimi ishte më i butë se në tremujorin e parë dhe rritja mbeti në përgjithësi e lartë.

 

PBB-ja e rajonit u zgjerua me 4.2% me bazë vjetore, krahasuar me 4.8% në tremujorin e mëparshëm. Ngadalësimi u shkaktua kryesisht nga një ecuri më e dobët në Shqipëri dhe Serbi.

 

Në Shqipëri, rritja reale e PBB u ngadalësua në 2.2% nga 6.5% në tremujorin e mëparshëm, për shkak të tkurrjes së investimeve dhe konsumit publik.

 

Pjesërisht kjo shpjegohet dhe nga baza e lartë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, konsumi privat dhe eksportet kanë mbetur të forta dhe kanë qenë nxitësit kryesorë të rritjes.

 

Në Serbi, rritja vjetore e prodhimit u ngadalësua në 3.9%, nga 4.3% në tre muajt e mëparshëm, pasi rritja e qëndrueshme në konsumin e familjeve dhe publike, si dhe kontributet më të moderuara të investimeve dhe inventarëve, u kompensuan nga kontributi negativ i eksporteve neto.

 

Në Kosovë, rritja reale e PBB-së u zbut në 2.1% me bazë vjetore në tremujorin e dytë të 2022, kryesisht për shkak të konsumit më të ulët të qeverisë dhe rënies së formimit bruto të kapitalit fiks, duke reflektuar tkurrjen e investimeve publike.

 

Rritja është mbështetur në konsumin e familjeve dhe eksportet e mallrave, kombinuar me zgjerimin e fortë të eksporteve të shërbimeve. Në të kundërt, rritja ekonomike në Mal të Zi u përshpejtua ndjeshëm në tremujorin e dytë të 2022 në 12.7% në vit, nga 7.1% në tremujorin e mëparshëm.

 

Ai u nxit kryesisht nga konsumi privat, si rrjedhojë e rritjes së pagave neto reale pas heqjes së kontributeve shëndetësore dhe rritjes së pagës minimale si dhe nxitjes së mëtejshme të punësimit, që u ndikua nga rimëkëmbja e turizmit.

 

Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut, ekonomia u rrit lehtë në 2.8% në vit, nga 2.4% në tre muajt e mëparshëm, e ndikuar nga një rritje e investimeve, pjesërisht për shkak të efekteve bazë, dhe përmirësimi i konsumit privat.

 

Në Bosnje dhe Hercegovinë, rritja reale e PBB u përshpejtua lehtë në krahasim me nga tre muajt e mëparshëm në 5.9%t, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet e familjeve.

 

Në tërësi, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor u rrit me 4.2% në tremujorin e dytë të 2022, nga një normë mesatare rritjeje prej 4.8% në tre muajt e mëparshëm.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/raporti-i-ke-shqiperia-me-ecurine-me-te-dobet-ekonomike-ne-rajon-ne-tremujorin-e-dyte/


Më të lexuarat