Secondary Adv

Cmim tavan per gazin, Hungaria: Nuk do te zbatojme marreveshjen

Kryeministri Orban ka thënë se është arritur një marrëveshje që përcakton se vendosja e çmimit tavan për gazin, nuk do të zbatohet për marrëveshjet afatgjata.

 

Kryeministri i Hungarisë ka thënë se në samitin e BE është arritur një marrëveshje që përcakton se vendosja eventuale e çmimit tavan për gazin, nuk do të zbatohet për marrëveshjet afatgjata, sikurse pakti 15-vjeçar që ka Hungaria dhe kompaninë ruse, Gazprom.

 

Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht në një shtet. Kryeministri Orban ka thënë në faqen e tij në Facebook se “ne kemi siguruar një përjashtim nga çmimi tavan për gazin, andaj marrëveshja nuk do të dëmtojë furnizimet e Hungarisë me gaz”.

 

Sipas tij, edhe nëse do të ketë prokurim të përbashkët të gazit në Evropë, “diçka e tillë nuk do të jetë e detyrueshme për Hungarinë”.

 

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të premten se shtetet e Bashkimit Evropian do të vazhdojnë të punojnë për të luftuar krizën me energji që ka përfshirë këtë bllok.

 

Liderët e BE-së “janë pajtuar që të punojnë në masat për të luftuar çmimet e energjisë për ekonomitë familjare dhe bizneset”, ka thënë ai në Twitter. “Uniteti dhe solidaritet triumfojnë”, ka thënë ai në Twitter, pas negociatave të zgjatura mes liderëve të BE-së.

 

Ata kanë diskutuar deri në orët e para të mëngjesit si të luftojnë në mënyrën më të mirë rritjen e çmimit të gazit. Shumica prej tyre janë qenë të pajtimit për vendosjen e çmimit tavan.

 

Çmimet e gazit janë rritur në shkallë të konsiderueshme prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Rusia ka zvogëluar sasitë e gazit që çon në BE, duke përmendur punimet në rrjet.

 

Perëndimi beson se vendimi i Kremlinit është hakmarrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës prej nisjes së luftës.Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Burimi: REL


Më të lexuarat