Greqia dhe Bullgaria perurojne tubacionin e gazit 113 milje
Greqia dhe Bullgaria, filluan operimin e një tubacioni të ri gazi, që do të ndihmojë Europën të ulë varësinë nga Rusia për gaz dhe naftë.
Tubacioni i ri, i cili do të menaxhohet nga të dy vendet, shihet si një zhvillim jetik në krizën energjetike me të cilën po përballet Europa që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Tubacioni i ndërlidhur, më shumë se 113 milje (rreth 182 kilometra) i gjatë, nisi të funksionojë në fundjavë. Në fillim, gazsjellësi do të jetë në gjendje të furnizojë Bullgarinë me 1 miliard metra kub gaz nga Azerbajxhani, përmes sistemit kombëtar të gazit të Greqisë.
Të dy vendet kanë gjithashtu plane për të rritur sasinë e furnizimit në 4 miliardë metra kub dhe më pas, në 6 miliardë metra kub.
Sipas raporteve të mediave, të dy vendet kanë investuar më shumë se 230 milionë dollarë për të ndërtuar dhe për të menaxhuar tubacionin. Punimet e zgjerimit dhe punimet që lidhen me rritjen e furnizimit, do të jenë shtesë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se tubacioni do të ndryshojë lojën për Bashkimin Europian, pasi do të jetë kyç në uljen e varësisë nga Rusia për gaz dhe naftë.
Ajo shtoi se gazsjellësi i ri midis Greqisë dhe Bullgarisë do të jetë jetik për lirinë energjetike të Europës. Ajo mbajti një fjalim gjatë ceremonisë së përurimit të gazsjellësit në Sofje.
Që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, sanksionet europiane dhe amerikane e nxitën Rusinë të ndërmerrte masa kundërsulmi ndaj Europës, si ndërprerja e furnizimit me naftë dhe gaz. Para lufte, Rusia ishte një nga furnizuesit kryesorë të naftës dhe gazit për vendet europiane.
Vendimi i marrë nga Rusia për të shkurtuar furnizimin me naftë dhe gaz në Bashkimin Europian, i dëmtoi ekonomitë në Europë dhe hapi një çështje shumë serioze të sigurisë së energjisë për kontinentin.
Me afrimin e dimrit në Europë, kërkesa për naftë do të rritet dhe po ashtu, edhe çmimet. Një tubacion i dytë europian, Baltic Pipe, gjithashtu nisi funksionimin në të njëjtën kohë, duke transportuar gaz nga depozitat e Detit të Veriut të Norvegjisë, përmes Danimarkës, në Poloni.