Raporti i BERZH per Serbine: Ekonomia do zgjerohet me 3.3 per qind ne 2022
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) konfirmoi parashikimin për rritje prej 3.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Serbisë në vitin 2022.
“Rritja e PBB parashikohet në 3.3% në 2022 dhe 2023, me rreziqe në një periudhë afatshkurtër, për shkak të inflacionit të lartë, duke rënduar mbi të ardhurat e disponueshme dhe duke ulur kërkesën e jashtme, për shkak të ngadalësimit të parashikuar në tregjet e BE”, tha BERZH në botimin e fundit të Raportit për Perspektivat Ekonomike Rajonale.
Rritja globale e çmimeve të ushqimeve dhe naftës nxiti rritjen e normës vjetore të inflacionit në Serbi, në 13.2% në gusht. Si përgjigje, Banka Qendrore rriti normën bazë të interesit gjashtë herë deri tani në vitin 2022, nga 1% në mars, në 3.5% në shtator, tha BERZH.
Prodhimi ekonomik i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, pritet të rritet me 3.2% në vitin 2022 dhe me 3.0% në 2023.