Secondary Adv

Impiante fotovoltaike ne tarracat e institucioneve, FSHZH shpall fituesin

Fondi bëri të ditur se oferta paraprake për procedurën e prokurimit të hapur vetëm pak javë më parë është 1.36 milionë euro nga bashkimi i dy operatorëve. 

 

Fondi limit për projektin ishte 1.7 milionë euro. Por çfarë synon në të vërtetë të sjellë kjo kontratë. Referuar dokumentacionit të bërë publik në fazën e parë epiqendra e ndërhyrjes do të jenë ato që kanë të bëjnë me energjinë e rinovueshme në njërën anë por edhe rritjen e eficiencës në anën tjetër.

 

Projekti synon instalimin e impianteve fotovoltaikë mbi tarracat e institucioneve publike si një formë prodhimi energjie ndërkohë që parashikohet përdorimi i llambave që konsumojnë më pak energji sesa ato standarde.

 

Fuqia e instaluar synohet të arrijë të paktën 1.7 MWp dhe të instalohet në një sipërfaqe rreth 10,000 m². Kapaciteti i instaluar do të mundësohet nga instalimi i afërsisht 3,800 moduleve fotovoltaike.

 

“Zbatimi i këtij projekti synon  të promovojë dhe nxisë uljen e varësisë nga furnizimi me energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe bërjen sa më shume autonom dhe vetëprodhues nëpërmjet prodhimit të energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike.

 

Impjantet e energjisë diellore do te ndertohen ne siperfaqe te sheshta, konkretisht ne soletat (tarraca) e objekteve ose ne ambjente te hapuar” thuhet në raportin teknik.

 

Ndjeshmëria sa i takon energjisë është bërë e lartë sidomos nga mesi i vitit të shkuar e deri më tani duke qenë se jemi në kushtet e një krize globale.

 

Aktualisht Shqipëria është në gjendjen e emergjencës dhe përveç masave të tjera të marra siç ishte prezantimi i fashës 800 KWh për familjarët të cilët do të paguajnë me çmim tregu çdo kilovat/orë mbi këtë fashë, është kërkuar edhe ndërgjegjësim i institucioneve.

 

Këtyre të fundit u është lënë si detyrë që të rrisin eficiencën dhe të ulin konsumin me të paktën 15%. Çdo institucion ka të ngarkuar një person i cili do të mbikëqyrë ecurinë e situatës së energjisë ndërkohë që për ata që nuk arrijnë objektivin është parashikuar të aplikohen edhe gjoba.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fotovolatiket-1-7-mwp-mbi-tarracat-e-institucioneve-fshzh-shpall-fituesin-me-1-36-milione-euro/


Më të lexuarat