Secondary Adv

Greqia u vjen ne ndihme familjeve te reja, kredi te bute per te blere shtepi

Greqia pritet që të ndihmojë të rinjtë me kredi të butë për t’u krijuar kushtet për të blerë shtëpinë e tyre të parë.

 

Mediat në vend raportojnë se ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale, Kostis Hatzidakis, ka paraqitur sot në Këshillin e Ministrave një projektligj që trajton çështjet ligjore, me qëllim që Strategjia Sociale e Strehimit (Programi “Shtëpia ime”) të nisë konkretizimin nga fillimi i vitit 2023.

 

Bëhet fjalë për një buxhet prej 1.74 miliardë eurosh, nga e cila do të përfitojnë mbi 137 mijë qytetarë. Gjithashtu, projektligji përfshin masa që synojnë çlirimin e pronës publike me qëllim përdorimin e saj për qëllime banimi, përshpejtimin e procedurave përkatëse dhe kujdesin e veçantë për viktimat e zjarrit të Atikës Lindore.

 

Programi i kredisë në këtë rast ka të bëjë me dhënien e një kredie me interes të ulët për të rinjtë dhe çiftet e reja me bashkëfinancim të DYPA dhe Bankave.

 

Programi është i vlefshëm për të rinj dhe çifte të reja (me martesë fetare/politike ose me kontratë bashkëjetese) të moshës 25-39 vjeç (një nga të dy) dhe me të ardhura neto vjetore deri në kufijtë e parashikuar. Huamarrësit gjithashtu nuk duhet të kenë një shtëpi tjetër që plotëson nevojat e tyre për strehim.

 

Përfituesit mund të blejnë nëpërmjet programit një banesë të parë me vlerë deri në 200,000 euro, me sipërfaqe deri në 150 m2 dhe viti i ndërtimit deri në 2007 me kredi pa interes ose me interes të ulët.

 

Kredia mund të arrijë maksimumi 150,000 euro, mbulon deri në 90% të vlerës së pronës dhe do të ketë një kohëzgjatje shlyerje deri në 30 vjet. Interesi përfundimtar është euribor (tremujor) +1%, ndërsa për çiftet që kanë 3+ fëmijë gjatë shlyerjes, kredia do të konvertohet në pa interes./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat