Secondary Adv

Ngadalesohen depozitat ne shtator, rriten kursimet ne Leke

Kursimet e individëve dhe bizneseve kanë vijuar rritjen edhe në shtator, ndonëse me ritme të ngadalësuara në krahasim me gushtin.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator stoku total i depozitave arriti në 1.26 trilionë lekë (gati 11 miliardë euro), me një rritje të lehtë prej 0.07% në krahasim me muajin e mëparshëm.

 

Në gusht depozitat ishin zgjeruar me 24 miliardë lekë (+2%), ritmet më të larta që nga dhjetori i 2021-t, por këto janë dy periudha sezonale, që shoqërohen gjithnjë me shtim të kursimeve në banka për shkak të efekteve të turizmit dhe sidomos të ardhurave të emigrantëve.

 

Ndryshe nga muajt e kaluar, kur rritja e kursimeve ka ardhur nga valuta, në shtator u zgjeruan depozitat në monedhën vendase, me rreth 2.3 miliardë lekë (+0.4%), e ndikuar nga kursimet pa afat të individëve.

 

Cikli në rritje i interesave duket se po i tërheq sërish kursimtarët drejt bankave. Banka e Shqipërisë, që nga muaji shkurt e ka rritur tre herë normën bazë, duke e çuar në 1.75%, nga minimumi historik prej 0.5% që zbriti si rrjedhojë e uljeve gjatë dekadës së fundit, kur banka ndoqi një politikë monetare lehtësuese.

 

Kjo rritje e normës bazë është shoqëruar me të njëjtën tendencë dhe me interesat e depozitave në lekë. Ndërkohë një alternativë tërheqëse për kursimtarët në lekë janë bërë dhe bonot e thesarit, Yield-i (interesi) i të cilave ka arritur në rreth 5% për maturimin vjetor.

 

Në të kundërt, kursimet në valutë shënuan një rënie të lehtë me -1.5 miliardë lekë (-0.4) në shtator, në raport me muajin e mëparshëm, megjithëse ato ndikohen dhe nga efekti i kursit, teksa të dhënat raportohen në lekë.

 

Me bazë vjetore (shtator 2022/shtator 2021), depozitat në total u rritën me 79 miliardë lekë (+6.3%). Gati 90% e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në valutë që janë zgjeruar me 9%, ndërkohë që ato në lekë u rritën me vetëm 2%.

 

Kjo tendencë ka bërë që pesha e kursimeve në valutë të rritet edhe më tej. Në fund të shtatorit, pesha e kursimeve në monedhë të huaj ishte 57.1%, nga 55.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/depozitat-ngadalesohen-ne-shtator-fillojne-te-rriten-kursimet-ne-monedhen-vendase/


Më të lexuarat