Nis sot aplikimi per subvencionimin e paneleve diellore, dokumentat qe kerkohen
Nis sot aplikimi për subvencionimin për panelet diellore në kuadër të projektit pilot që ka nisur qeveria për të mbështetur 2 mijë familje në krizën energjetike.
Duke nisur nda dita e sotme, çdo familje mund të aplikojë online në Agjencinë për Efiçencën e Energjisë për të përfituar nga ky projekt. 2 mijë familjet që do shpallen fituese, qeveria do t’u mbulojë 70% të kostos së vendosjes së paneleve diellore.
Ky projekt pilot i qeverisë vjen në kohën e krizës energjetike dhe ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike, si edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të kursyer energjinë dhe të shkojnë drejt përdorimit të paneleve diellore.
Kryeministri Edi Rama shkruan se do të vazhdojnë të mbështesin konsumatorin. Me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.
“Qeveria Shqiptare do vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë konsumatorin në këtë situatë krize energjie globale. 70% subvencionim nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë për panelet me ngrohje diellore”, shkruan Rama.
Klientet familjarë që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes për realizimin e investimit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
Të paraqesin një kontratë ekzistuese me OSHEE/Furnizuesi i Shërbimit Universal ku të jenë të klasifikuar si abonent familjar dhe një historik të konsumit të energjisë për të paktën 6 muaj, që nuk duhet të jetë më pak se 250 kWh për cdo muaj.
Ky kriter nuk eshte i zbatueshëm per klientët qe trajtohen me ndihmë ekonomike nga ministria përgjegjëse për punët sociale;
Të vërtetojnë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU;
Të zotërojnë çertifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen).
Lista e dokumentave që duhet të paraqesin konsumatorët familjarë për aplikim në platformën online:
Letërnjoftimi (pasaportë/kartë identiteti);
Certifikata Familjare;
Certifikatë Pronësie;
Faturat e energjisë elektrike për 6 muajt e fundit;
Të paraqesin vërtetim debie nga e-albania që të vërtetojë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU për pagesën e energjisë elektrike, ose janë në një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura;
Foto në të cilat tregohet qartë pamja e jashtme e objektit ku do të instalohen panelet diellore për ngrohjen e ujit.
Sipas rastit dokument që vërteton se janë përfitues të ndihmës ekonomike;
Formulari e vetëdeklarimit sipas Shtojcës nr. 2./Burimi: Shqiptarja.com