
Moratoriumi i pyjeve, drute e zjarrit do te shiten pa fitim nga bashkite
Vetëm moratoriumi 10-vjeçar për shfrytëzimin e lëndës drusore mund ta ndalojë masakrën ndaj pyjeve. Me këtë argument e nisi ministri i Mjedisit, Lefter Koka, diskutimin për projektligjin “Mbi administrimin e pyjeve dhe kullotave” dje, në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
Risitë e projektligjit
Risia e këtij projektligji është kalimi i menaxhimit të fondit pyjor në masën 100% në 61 bashkitë e vendit (deri tani ishin kaluar rreth 60%). Projektligji kërkon identifikimin e furnizimit me lëndë drusore për qëllim ngrohjeje të familjeve. Bashkia do të sigurojë shitjen pa qëllim fitimi. Të ardhurat që do të gjenerohen nga shitja e lëndës drusore për ngrohje do të shkojnë nga bashkitë për rehabilitimin dhe ripyllëzimin e zonave të degraduara. Sipas draftit, do të krijohen pranë bashkive drejtoritë pyjore, që do të menaxhojnë sipërfaqet pyjore, që secila njësi vendore do të ketë në pronësi. Kjo do të thotë që bashkitë do të punësojnë specialistë të fushës. Sipas ligjit, sipërfaqja pyjore që digjet nuk tjetërsohet, por duhet të kthehet prapë në pyll.
Çfarë u gjet në 2013-n?
Situata e përshkruar nga ministri është katastrofale. Nga viti 2004 deri në 2015-n raportohen prerje ilegale me mbi 2 500 000 m3 në vit. “Vetëm për periudhën 2007-2013 rezulton të kemi pasur një katastrofë të vërtetë mjedisore në sektorin e pyjeve. Janë prerë dhe djegur qëllimisht rreth 17% e fondit pyjor”, deklaroi Koka. Po në këto vite, 2007–2013, qeveria “Berisha” dha leje për ndërtimin e 435 hidrocentraleve. Sipas ministrit, këto HEC-e shpyllëzuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe subjektet nuk patën asnjë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për rehabilitimin e tyre.
Ndërkaq, sipërfaqja e pyllëzuar në total, nga 1990-a deri në 2013-n ishte në nivele të papërfillshme, prej 2,678 ha pyllëzim. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mbulesa e tokës në Republikën e Shqipërisë në 10 vite nga 2002-shi deri në 2012-n është ulur me më shumë se 7%. Ndërsa, sipërfaqja e pyjeve në rang vend në 10 vite, nga 2002-shi deri në 2012-n ka pësuar një rënie drastike me më shumë se 14%. Në vitin 2014-2015 për të ndërprerë këtë katastrofë të trashëguar mjedisore u ndalua në masën 100% eksporti i qymyrit të drurit, si dhe u kufizua eksporti i drurit të papërpunuar.
Ajo që ishte më e rëndësishme, arritëm sensibilizimin e opinionit publik, medias dhe politikës. Për vitet 2014-2015 janë dhënë leje eksporti në total vetëm për 24 000 m³ lëndë drusore (15 herë më pak se në 2013-n), ndërkohë që për vitin 2015 janë dhënë leje vetëm për 3 000 m³ dru. Gjatë viteve 2005-2013 janë dhënë plot 2,676 leje shfrytëzimi, një shifër kjo e jashtëzakonshme. Në dy vitet e fundit (2014-2015) janë dhënë në total vetëm 24 leje për shfrytëzimin e pyjeve, nga ku nëntë nga këto për pyje private, tha Koka. Ndërkaq, janë krijuar Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe së fundmi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. “Brenda vitit 2016 përfundojmë implementimin e projektit për instalimin e kamerave termike në akset kryesore të transportit të lëndës drusore, duke pasur më shumë mundësi për kontroll të territorit”, deklaroi Koka.
Më të lexuarat








