Secondary Adv

Miratohet rezoluta, OKB zgjat mandatin e EUFOR ne Bosnje

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën për zgjatjen edhe 1 vit të mandatit të misionit paqeruajtës dhe të sigurisë të BE në Bosnjë e Hercegovinë.

 

Rezoluta u miratua më 2 nëntor me vota unanime. I njohur si EUFOR Althea, misioni përbëhet nga rreth 1.100 ushtarë nga 20 shtete që janë dislokuar në Bosnje që nga viti 2004, dhe mandati i këtij misioni është zgjatur çdo vit. Këtë vit, këtij misioni i skadonte mandati më 3 nëntor.

 

Përfaqësuesi i lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, tha në raportimin e tij se EUFOR Althea, vazhdon të luajë rol vital në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnjë dhe prezenca e tij është ende e nevojshme.

 

Ambasadorja franceze në OKB, Natalie Broadhurst, tha se prezenca e komunitetit ndërkombëtar në Bosnje është thelbësore për stabilitetin e shtetit dhe të rajonit. Ajo shtoi se autoritetet në Bosnje duhet të tregojnë vullnet për dialog dhe përfshirje në zbatimin e reformave.

 

Sipas saj, Franca mbështet integrimin evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. EUFOR-i është pjesërisht i ngarkuar me sigurimin e rendit civil dhe respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit së bashku me përfaqësuesin e lartë, Christian Schmidt.

 

Më shumë se 100.000 njerëz vdiqën në Luftën e Bosnjës në vitet 1992-95 e cila përfundoi me nënshkrimin nga udhëheqësit serbë, kroatë dhe boshnjakë të një paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dejton, Ohajo. EUFOR zëvendësoi trupat paqeruajtëse të NATO në Bosnje në vitin 2004./Burimi: REL


Më të lexuarat