Secondary Adv

Qeveria ndan grantin e 2016 per bashkite e reja, ja fondet per secilen njesi

Ministria e Financave ka ndarë 11.8 miliardë lekë në formën e grantit të pakushtëzuar për njësitë e reja të qeverisjes vendore (NJQV), ku pjesën më të madhe të fondit e kanë marrë bashkitë e mëdha për shkak të numrit të madh të popullsisë që administrojnë.


Sipas formulës se re që aplikoi Ministria e Financave këtë vit për ndarjen e grantit, ky financim nga buxheti qendror duhet t’u sigurojë NJQV-ve diferencën mes kostos së ushtrimit të funksioneve (nevojat për shpenzime) dhe të ardhurave që ato krijojnë në mënyrë të pavarur (kapaciteti fiskal).Duke qenë se NJQV-të janë të ndryshëm për sa i përket nevojave dhe kapacitetit fiskal, në një sistem efikas dhe të barabartë të ndarjes së transfertës së pakushtëzuar duhet të merren parasysh diferencat tek të dy dimensionet.


Pjesa më e madhe e fondeve i ka takuar bashkisë së Tiranës, e cila ka marrë 12.9 për qind të grantit të 2016 ose mbi 1.5 miliardë lekë. Vlerat e larta të financimit shpërndahen edhe për bashkitë e tjera të mëdha. Njësia e re e Durrësit financohet me 4,8 për qind të fondit total ose me 573 milionë lekë, bashkia e Elbasanit ka marrë 489 milionë lekë ose 4.2 për qind të totalit dhe Bashkia e Fierit ka marrë 419 milionë lekë ose 3.5 për qind të totalit. Fondet më të ulta kanë marrë bashkitë e vogla, si ato të Delvinës, Cërrikut, Memaliajt etj.


Ministria e Financave ka sqaruar se formula e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë për çdo njësi (që kap diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki.


Përveç përllogaritjes së kostove që bëhet nëpërmjet komponentit të dendësisë, formula e re e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar sjell edhe ekualizimin e kapacitetit fiskal (të matur nga të ardhurat faktike nga taksat e ndara ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore), të cilat mblidhen dhe u transferohen plotësisht ose pjesërisht bashkive nga administrata tatimore qendrore. Ekualizimi fiskal bazohet në të ardhurat faktike nga tatim fitimi i thjeshtuar i biznesit të vogël, nga taksa vjetore e automjeteve të përdorura dhe taksa e kalimit të pasurisë për pasuritë e paluajtshme të shitura nga personat juridikë.


Madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2016 është 4.67% e të ardhurave publike faktike nga tatimet dhe doganat të vitit 2014. Transferta e pakushtëzuar për një bashki ose qark është e barabartë me shumën përkatëse që rezulton nga aplikimi i formulës së re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë dhe qarqet.


Më të lexuarat