Durres, firmoset marreveshja per Ujesjellesin e ri, punimet nisin ne shkurt
Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve dhe firma gjermane “PWT”, kanë firmosur marrëveshjen për ndërtimin e linjës së re të furnizimit me ujë të Ujësjellësit të Durrësit. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori “DPUK” Ardian Alushi dhe përfaqësuesi i firmës “PWT”.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto tha se kjo është një nga kontratat më të rëndësishme të ujësjellës-kanalizimeve, veçanërisht për zonën e Durrësit. Ky është një projekt që ka shumë kohë që është duke u përgatitur dhe do sjellë një zgjidhje të qëndrueshme për qytetin dhe gjithë zonën turistike të tij.
“Ky projekt parashikon ndërtimin e një linje dedikuar Durrësit prej 68 kilometra, me një teknologji të lartë të tubacioneve, që parashikon transportimin me cilësi të ujit nëpërmjet këtij sistemi. Projekti do realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore, prej 31,6 milion euro dhe do të dyfishojë sasinë e furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit”, deklaroi ministri Haxhinasto. Gjithashtu ai theksoi se ka një pritshmëri që qyteti të ketë furnizim me ujë 24 orë në ditë në mënyrë të vazhdueshme në sasinë e nevojshme, jo vetëm për kërkesat e momentit ku jemi por edhe për atë të shumë viteve që do të vijnë.
Ministri nënvizoi se Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve dhe superviziori përkatës, duhet të bëjnë të mundur që kontrata të realizohet me cilësinë më të lartë dhe në kohën e duhur. Kohëzgjatja e kontratës është 24 muaj dhe punimet nisin në muajin shkurt.