
Shoqatat e bizneseve kerkojne heqjen e akcizes se gazit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqata e Prodhuesve të Birrës dhe përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve zhvilluan seancë dëgjimore për paketën fiskale.
Prodhuesit kërkuan heqjen e akcizës së gazit prej 6 lekë për litër që është vendosur nga 1 korriku 2022, të mos dyfishohet akciza e birrës, si dhe të kthehet TVSH-ja e rimbursueshme në bujqësi.
Kryetari i DHTI Nikolin Jaka tha se akciza e gazit është vrastare për industrinë prodhuese. Jaka kërkoi të hiqet akciza te gazi ose të kalohet automatikisht në procedurën e rimbursimit për prodhuesit.
“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që akciza e gazit të mos vazhdojë të kthehet në kosto për prodhuesit, sepse kemi një vit që po e provojmë dhe akciza e gazit është kthyer në një kosto të paimagjinueshme për prodhuesit. Do ju sjell një shembull të thjeshtë.
Akciza e gazit është 6 lekë për litër. Çmimi i gazit për 1 vit pritet të shkojë 30 lekë për litër dhe 50% e çmimit është akcizë. Prodhuesi po e pëson direkt në kosto paaftësinë e institucioneve ligj zbatuese për të mbledhur akcizën për përdorim joprodhues.
Paaftësinë e institucioneve po e pësojnë në kosto direkte prodhuesit. Shumë biznese po shkojnë drejt mbylljes për shkak të analizës së kostos”.
Shqetësim sipas kreut të DHTI Nikolin Jaka është edhe vendosja e taksës doganore te prodhuesit vendas që importojnë mishin dhe nënproduktet si lëndë e parë, ndërkohë nëse futet si mish i gatshëm, sallam apo nënprodukte nga jashtë nuk ka taksë doganore.
“Të paktën të behët barazim të taksave mes prodhuesve dhe produkteve të gatshme”. Bizneset ngritën edhe shqetësimin e heqjes 6% të TVSH-së së rimbursueshme nga 1 janari 2022.
Deri në 2018 skema e TVSh parashikonte rimbursim të produkteve të fermerit 20%. Nga 1 janari 2019 u reduktua në 6%. “Heqja e TVSH-së së rimbursimit po e rëndon dhe po e çon në një plagë të madhe ikjen dhe largimin e fermerëve.
Po e prekim me dorë në mënyrë të përditshme rënien e ndjeshme me furnizime të produkteve bujqësore. U bë edhe një analizë ku në përgjithësi të gjitha supermarketet kanë vazhduar që fruta-perimet dhe zarzavatet t’i lenë jashtë.
Nuk i fusin brenda se janë pa TVSH dhe nuk i justifikojnë dot. Kjo është e dhimbshme, sepse ne po stimulojmë informalitetin.
Duhet të bëjmë një analizë të hollësishme për TVSH, të vendoset një tarifë siç e kanë vendet e rajonit dhe BE. Tarifa më e lartë është e Serbisë 8%, 5% e ka Italia. Nëse nuk ndiqen modelet e huaja, nuk do të kthehet optimizmi te sipërmarrja private.
Për industrinë e përpunimit të qumështit ne ngremë zërin fort për implementimin e modelit maqedonas apo të Kosovës, Serbisë në mbështetjen shtetërore. Nuk duhet të vendosim limite në subvencione”, pohoi Nikolin Jaka.
Përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Rreshat Mansaku, konkretisht i industrisë së aluminit dhe përpunimit të metaleve kërkoi heqjen e akcizës së gazit të lëngshëm, pasi jo vetëm që nuk e aplikon asnjë vend i BE-së dhe Ballkanit, por po rëndon kostot prodhuese.
“Akciza e gazit të lëngshëm zë 60 deri 70% të kostos së prodhimit për shumë sektorë. Është në kundërshtim të plotë me parimet e vendosjes së akcizës. Ligji i akcizës së BE dhe vendeve të Ballkanit, konkretisht të Kosovës gazi për qëllime prodhimi është i liruar nga taksimi”.
Edhe përfaqësuesja e kompanisë të prodhimit të tullave KID ALB Ilda Baraj pohoi se vendosja e akcizës e ka kthyer jo konkurrues këtë sektor.
“Nëse 5 vite më parë kishim një raport eksport-import në favorin tonë, fabrika jonë kishte 40 deri 50% të prodhimit në eksport, aktualisht jo vetëm që nuk eksportojmë dot, tulla jonë del me kosto më të lartë se rajoni, por kemi këmbëkryq produktet e rajonit dhe këtu specifikoj produktet e Kosovës.
Akciza e lëndëve djegëse që shkon 30 deri 35% të kostove është shumë. Sot jemi më shtrenjtë në kosto se prodhimet e rajonit. Jo vetëm që nuk eksportojmë, por me këtë kosto shumë shpejt kemi për dalë jashtë loje”.
Prodhuesit e birrës ripërsëritën shqetësimin për efektet fatale që do të sillte për industrinë dyfishimi i akcizës. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të birrës Stefan Pinguli paralajmëroi falimentimin e sektorit.
Ne total sipas tij në këtë sektor janë investuar 100 mln euro. “Shohim që nuk kemi ende një përgjigje të qartë edhe pse në kundërshtim me të gjithë politikat e BE hiqet fasha për prodhuesit nën dhe mbi 200 mijë hektolitër, fashë e përcaktuar sipas kritereve të BE-së.
Në kushtet e krizës së madhe mbivendoset një taksë e dyfishtë. Ngritja e kësaj takse prevalon nivelin e evazionit dhe jo të kundërtën. Investimet që janë bërë në këto 19 vjet që janë në vlerën e 100 mln eurove, hidhen poshtë nga ky projektligj.
Plus efekte sociale që do të ndodhin ku janë 1 mijë familje të punësuar në sektor. Akciza rrit çmimin e birrës 150 lekë për litër, çka do të thotë të rrisim çmimin me 15-20 %.
Kjo do të sillte rritjen e konsumit të birrës së importit që do të shitej me çmim më të lirë. Kjo do të ishte fatale për prodhimin vendas, pasi do të zhdukej”, veçoi Pinguli.
Një tjetër shqetësim për prodhuesit e birrës në vend është edhe tarifa për pullën e akcizës, ku bizneset në vend paguajnë 22 euro për 1000 pulla. Pinguli kërkoi përfundimin e kontratës me koncensionarin dhe ofrimin e shërbimit nga shteti.
Shqetësimet e prodhuesve do t’i dërgohen Komisionit përkatës së paketës fiskale që është Komisioni i Ekonomisë dhe Financave./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/shoqatat-e-bizneseve-seance-degjimore-per-paketen-fiskale-jaka-te-hiqet-akciza-e-gazit-eshte-vrastare-per-prodhuesit/
Më të lexuarat








