KM miraton nje fond prej 84 milion leke per sipermarrjet e vogla e te mesme
Një fond me vlerë 84 milionë lekë do t’u akordohet sipërmarrjeve të vogla e të mesme për periudhën 2016-2018.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimi e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë ku për këtë vit, sipërmarrjeve do t’u shpërndahen 28 milion lekë. Referuar vendimit, Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme deri në 70% të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 1.4 milion lekë.
Nga ky fond mund të përfitojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që prodhojnë në Shqipëri produkte apo ofrojnë shërbime, të cilat tregtohen brenda dhe jashtë vendit, që kanë një strategji dhe plan marketingu, që janë janë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij si dhe që kanë paguar të gjitha detyrimet tatimore e doganore.Pagesa e subvencionit bëhet 50%, me miratimin e projektit, dhe 50%, në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit do të bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit.