Secondary Adv

Largimi i Listes Serbe nga institucionet, serbet protesta ne Mitrovice

Në Mitrovicën e Veriut këtë të dielë është mbajtur protestë, e thirrur nga Lista Serbe - për shkak të vendimit të Prishtinës për ri regjistrimin e makinave me targa serbe.

 

Kjo protestë është mbajtur një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës. Përveç vendimit të targave krerët e Listës Serbe kanë kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Në fjalimin e tij në protestë, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka kërkuar që Asociacioni të formohet, siç është rënë dakord në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

 

Rakiç u ka bërë thirrje protestuesve që të “mos bien në provokime, të vazhdojnë luftën me mjete paqësore dhe demokratike”. Ai ka përsëritur se ata "mbrojnë Marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare publike".

 

Një ditë më parë, Raki­ç ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

 

Igor Simiç nga Lista Serbe - i cili, po ashtu, ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës – ka thënë se i është dhënë një mundësi dialogut në Bruksel, mirëpo nuk duan të jenë më “front” për autoritetet e Kosovës.

 

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ajo ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar "unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre".

 

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin, në tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS. Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, mirëpo ka kërkuar shtyrje të vendimit për periudhë 12-mujore.

 

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa që lëshojnë autoritetet në Serbi. Pas zhvillimeve të fundit me tensione në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Shefi i Diplomacisë Europiane, Josep Borrell i cili ka bërë thirrje që dy vendet të përmbaheshin me veprime që mund të destabilizonin gjendjen.

 

Po ashtu, Albin Kurti ka zhvilluar bisedë me Borrell, të cilin e ka bërë me dije se gjatë kësaj kohe policia i ka shpërndarë 834 qortime dhe s’ka pasur asnjë ankesë dhe asnjë incident.

 

Gjithashtu duket Kurti largon të gjitha mundësitë për dialog duke thënë se nuk ka asnjë alternativë për këtë. Ndërkohë në deklaratën e BE-së bëhet thirrje që dy vendet të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë gjendjen.

 

Kosovës dhe Serbisë i është bërë edhe njëherë thirrje që të respektojnë marrëveshjet e arritura, në mënyrë që mos të bëjnë hapa pas, për normalizimin  e marrëdhënieve të dy vendeve.

 

Ndër të tjera BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se ky është obligim ligjor i Kosovës. Përveç kësaj në reagim kërkohet edhe shtyrja e afatit për targat ilegale.

 

Pse largimi i Listës Serbe nga institucionet e Kosovës ka nxitur tensione:

Jo më larg se ditën e djeshme, në mos dakordësi me vendimet e qeverisë së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për targat, kryetari dhe 10 deputetë të tjerë kanë dhënë dorëheqjen.

 

Kjo lëvizje nxit tensione dhe regres pasi thyhet marrëveshja e arrirë në vitin 2013 për veriun e Kosovës.

 

Për të pasur një dialog të lehtësuar Bashkimi Evropian hartoi marrëveshjen e cila “lejon” integrimin  e serbëve në institucionet e Kosovës, në dy fusha: drejtësi dhe siguri./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat