Secondary Adv

Pedagoget pezullojne bojkotin, rinis procesi mesimor

Pas disa javësh protesta, pedagogët e universiteteve publike kanë vendosur të ndërpresin bojkotin e mësimit.

 

Përmes një deklarate ata bëjnë të ditur se do të kthehen në auditorët e fakulteteve, por nuk do të ndërpresin protestat deri në plotësimin e kërkesave që i kanë parashtruar qeverisë. Të martën njoftojnë se do të mblidhen sërish në një protestë kombëtare para universitetit politeknik në Tiranë.

 

Në deklaratën e sindikatës së punonjësve të universiteteve thuhet se të gjitha llojet e protestave me forma demokratike dhe institucionale, përfshirë edhe grevat, do të vazhdojnë të mbeten mjete të reagimit të tyre për realizimin e kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë.

 

Mes tyre me kryesorja mbetet ajo e rritjes së pagës me 50%.

Fragment nga deklarata

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

 

1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;

 

2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

 

3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!

 

4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.

 

Gadishmëria e Organeve Drejtuese të Universiteteve për të kontribuar pjesërisht në përmbushjen e kërkesave të paraqitura: – ‘me rritje modeste të fondit të pagave’,

 

dhe kjo, vetëm për stafin akademik, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me rritjen e pagave për stafin ndihmës-akademik dhe administrativ, na prezanton një tjetër problematikë në Institucionet e Arsimit të Lartë: – Nevojën për transparencë mbi veprimtarinë tërësore financiare të tyre.

 

Besojmë në mbështetjen e çdo anëtari të stafit akademik, për të realizuar procesin e vlerësimit të pastërtisë dhe integritetit profesional të titullarëve të universiteteve dhe të personelit universitar në tërësi,

 

si mundësia e vetme për të demonstruar akademizëm dhe seriozitet prej gjithkujt, që merret me ofrimin e shërbimit më fisnik të një kombi, sikundër është edukimi. Kapitali më i çmuar i një vendi është kapitali njerëzor./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat