Ministria e Transportit fillon pajisjen e shofereve te autobuseve me certifikata
Nis dhënia e certifikatave për shoferët e autobusëve dhe mjeteve të rënda të transportit. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ka ndjekur nga afër procesin e shpërndarjes së certifikatave të aftësimit profesional në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit në Durrës.
Haxhinasto tha se ky është një dokument shumë i rëndësishëm për drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë, si kamionëve dhe autobusëve veçanërisht për sigurinë e qytetarëve. “Kjo certifikatë jepet në zbatim të direktivave të BE”. “Dhënia e këtij dokumenti dhe vetë procesi kualifikimit dhe trajnimit të drejtuesve të këtyre mjeteve, do sjellë siguri më të lartë për këtë kategori të transportit, veçanërisht për ata qytetarë që përdorin transportin publik”, shpjegoi Haxhinasto.
Më tej, ministri tha se nga dje filluan edhe efektet e Kodit të ri Rrugor, dhe këto rregulla do të kenë impakt të drejtpërdrejtë për rritjen e sigurisë në shërbimin e transportin publik dhe në transportet e tjera. Ministri u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të lexojnë me kujdes dispozitat që janë miratuar në kod, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë.