Miratohet kredia 56.8 mln USD per Qukes-Qafe Plloce, ja kur perfundon
Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar marrëveshjen e kredisë prej 56.8 mln USD për përfundimin e lotit I dhe II të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë.
Gjatë mbledhjes, pati akuza të shumta nga deputetët e opozitës, për zvarritjen shumëvjeçare të punimeve në këtë vepër infrastrukturore, si dhe për rritjen me 72% të kostove fillestare.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke argumentuar nevojën për financime shtesë, deklaruan se projekti fillestar ka patur probleme teknike dhe ishte jashtë standardeve.
Ndërkaq, deputetët e opozitës ngritën shqetësimin se përse nuk ka patur denoncime për këtë situatë dhe dëmin ekonomik të shkaktuar. Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë ka një gjatësi totale prej 43.8 km dhe do të jetë një rrugë e kategorisë C1 ku shpejtësia e lejuar do të jetë 80 – 90 km/orë.
Sipas deklaratave të bëra në komision, punimet pritet të përfundojnë brenda vitit 2024. Ndërkohë që, për këtë do të jetë e nevojshme edhe një kredi tjetër, prej 49 mln USD./Burimi: SCAN