Transferimi i sherbimeve, ADISA merr 4 institucione
4 institucione të rëndësishme këtë vit do t’ia kalojnë të drejtën e ofrimit të shërbimeve njësisë së re të krijuar për këtë qëllim, të emërtuar ADISA.
Referuar projektligjit të depozituar në Kuvend, gjatë këtij viti parashikohet të merren nën administrim dhe të ofrohen shërbimet publike nëpërmjet sporteleve për: Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Numri i punonjësve të sporteleve që do të kalojnë nën administrimin e Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike është 520 persona për 128 sportele. Trajtimi financiar, marrëdhëniet e punës dhe shpërblimi për këta punonjës do të rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave ndërsa fondet do të kalojnë përmes tranfertave buxhetore nga këto institucione drejt Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike.Qeveria shqiptare ka nisur tashmë të aplikojë një model të ri në ofrimin e shërbimeve publike, duke huazuar eksperiencën e shërbimit privat. I gjithë projekti për modernizimin e shërbimeve publike vlerësohet se ka kosto që arrin në rreth 30 milion dollarë.